Ramzan Bekteshi, veprimtar shqiptar në SHBA, ka kundërshtuar vendimin për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër. Në reagimin e tij, ai ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke pretenduar se po i jep përparësi Serbisë në dëm të Kosovës.
Të lidhura
None found
Bekteshi thotë se Rama nuk ka shfaqur të njëjtin angazhim për krijimin e një konsullate të Kosovës në Luginën e Preshevës. Sipas tij, ky është një tjetër shembull i shpërfilljes së interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve që jetojnë në Luginë, përcjell “Bota sot”.
Në postimin e tij, veprimtari e cilëson këtë zhvillim si “injorimin e radhës” dhe ngre pikëpyetje për procedurën e përshpejtuar të hapjes së konsullatës serbe në Shkodër. Ai pretendon se, ndër të tjera, kjo përfaqësi do të merret me organizimin e martesave mes femrave shqiptare dhe serbëve të varfër.
Bekteshi pyet përse Rama nuk pati guximin t’i kërkonte Vuçiqit që në Luginën e Preshevës të hapej konsullata legjitime e Kosovës, ndërsa e akuzon kryeministrin shqiptar se po i zë vendin shtetit të Kosovës.
Ai shprehet se Rama po vepron me zell në favor të Serbisë, por po harron se Kosova është shtet sovran. Gjithashtu, Bekteshi pretendon se kreu i qeverisë shqiptare nuk ka kërkuar asnjëherë për Luginën të drejta kombëtare dhe njerëzore në të njëjtën masë siç ka kërkuar për serbët në veri.
Në përfundim, ai deklaron se gjatë qeverisjes së Ramës, Kosova po injorohet qëllimisht, ndërkohë që Serbia po përfiton. Bekteshi thekson se konsullata në Luginën e Preshevës duhet t’i përkasë shtetit sovran të Kosovës.
