Veprimtari Ramazan Bekteshi ka reaguar ashpër ndaj situatës politike dhe ngërçit institucional, duke vlerësuar se gjashtë vota mund të përcaktojnë nëse do të zgjidhet presidenti.
Të lidhura
None found
Ai ka shtruar dilemën nëse këto vota do ta nxjerrin LDK-në nga ajo që e cilëson si “falimentim politik” dhe shtetin nga gjendja e agonisë, apo nëse do ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja.
Sipas Bekteshit, kur pakënaqësia politike tejkalon interesin e Dardanisë, pasojat nuk kufizohen vetëm te rrëzimi i një partie, por mund të dëmtojnë edhe shtetin.
“Hoti duket se po e përjeton sërish momentin e favorshëm. Përmes trojkës së tij fillestare, apo gjashtëshe së turpit, ai mund të arrijë dy qëllime me një veprim: ta përçajë LDK-në dhe ta çojë shtetin drejt zgjedhjeve të pafundme”, ka shkruar ai.
Bekteshi ka thënë se këtë mision të trojkës e mbështesin opozitarët, të cilët po e presin me padurim, ndërsa vazhdojnë ta pengojnë funksionimin e shtetit. Sipas tij, ata shpresojnë se kjo është e vetmja mundësi që u ka mbetur në rrethanat e trazuara, pasi votuesit i kanë braktisur në mënyrë masive.
Ai e ka përmbledhur situatën me një pyetje që e quan të thjeshtë, por vendimtare: a do të mjaftojnë gjashtë votat e shumëkërkuara dhe kritike të atyre që veprojnë nga inati për zgjedhjen e presidentit?
“A do ta shpëtojnë LDK-në nga falimentimi politik dhe shtetin nga agonia, apo do të hidhen nga inati si kamikazë, duke e rrëzuar veten, partinë dhe vendin? Kur inati bëhet më i madh se Dardania, nuk rrëzohet vetëm një parti, por rrezikon të plagoset edhe shteti”, ka përfunduar Bekteshi.
