Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar për përshkallëzimin e protestës së 5 tetorit, duke shprehur keqardhje për skenat e dhunës të regjistruara gjatë mbrëmjes.
Të lidhura
None found
Hamza deklaroi se protestat duhet të zhvillohen në mënyrë demokratike dhe në përputhje me ligjin. Ai tha se, ndonëse nuk e kishte ndjekur situatën gjatë ditës për shkak të angazhimeve, pamjet e publikuara në media nuk ishin të denja për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, dhuna e përdorur ishte joproporcionale.
Situata pranë Kuvendit të Kosovës u tensionua më 5 tetor. Protestuesit hodhën mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Kuvendit, ndërsa Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës.
Hamza ka kritikuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e ka bërë përgjegjëse për situatën e krijuar në vend, duke e akuzuar për mungesë vendimmarrjeje.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje, por ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional. Hamza tha se, nëse Vetëvendosjes nuk i përshtatej bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës, ajo mund të krijonte marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai shtoi se kriteret e përdorura ndaj LDK-së dhe PDK-së kanë qenë të ndryshme, çka, sipas tij, e bën Vetëvendosjen përgjegjëse për gjendjen e krijuar.
