Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se puna në segmentin Kijevë–Zahaq vijon, ndërsa bajpasi pranë Urës së Dollcit, që po krijon vonesa në komunikacion, pritet të pastrohet brenda shtatë ditësh.
Në një publikim në Facebook, Basha bëri të ditur se ka parë nga afër zhvillimin e projektit. Ai pranoi se ndërhyrjet e mëdha në këtë aks rrugor kanë sjellë pengesa të përkohshme për ngasësit, banorët dhe bizneset e zonës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, shqetësimi kryesor aktual në qarkullim lidhet me bajpasin te Ura e Dollcit, i cili është krijuar për shkak të minimit të asaj pjese të rrugës.
Basha tha se në terren ka biseduar me inxhinierët e operatorit ekonomik dhe se, bazuar në vlerësimet e tyre, kjo nyje do të pastrohet brenda shtatë ditësh. Kjo pritet të mundësojë kthimin e qarkullimit në rrugën ekzistuese.
Gjatë vizitës, ministri në detyrë tha se janë trajtuar edhe vështirësitë teknike që shoqërojnë realizimin e projektit, si dhe është kërkuar që punimet të marrin një ritëm më të lartë.
Ai theksoi se segmenti rrugor Kijevë–Zahaq do të ketë intensitet dhe dinamikë më të mirë të punimeve.
Në përfundim, Basha kërkoi falje nga qytetarët për pengesat dhe pritjet në trafik, duke deklaruar se institucionet dhe operatorët po bashkëpunojnë në terren për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve dhe për përfundimin e kësaj rruge të rëndësishme.
