Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka theksuar se pas konstituimit të Kuvendit, përparësi duhet t’i jepet zgjedhjes së presidentit ose presidentes së Kosovës. Sipas tij, nëse kreu i shtetit nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh, atëherë vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Baraliu ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës e specifikon qartë që mandati për formimin e Qeverisë jepet nga presidenti ose presidentja e zgjedhur, dhe jo nga ushtruesi i detyrës.
Të lidhura
None found
“Kushtetuta thotë qartë presidentja e vendit ose presidenti, ka të drejtë ta mandatojë, pra nuk thotë ushtruesja e detyrës ose ushtruesi i detyrës. Pra, është e qartë që Kushtetuta kërkon që në këtë rast do të duhej menjëherë pas çertifikimit të rezultateve, verifikimit të mandateve, dhënies së betimit të deputetëve, konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit apo kryetares së re të Kuvendit, dhe do të duhej dhe presidentës, do të duhej me prioritet presidentin apo presidenten ta kemi të zgjedhur e më vonë Qeverinë, në mënyrë që ta shfrytëzojmë rastin, pasi të konstituohet Kuvendi, te kemi mundësi, sepse Kushtetuta thotë po ashtu në mënyrë determinuese domethënë dhe imperative që 60 ditë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet zgjedhja e presidentit”, tha ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, menjëherë pasi të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet kryetari i tij, nis obligimi kushtetues që presidenti i vendit të zgjidhet brenda afatit të përcaktuar.
“Pra, rrjedhimisht e kemi për detyrë sipas Kushtetutës që ta konstituojmë Kuvendin, ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit me mandat të plotë, pastaj brenda 60 ditësh të gjitha institucionet, Kuvendi, me një seancë të cilën duhet të jenë 80 deputetë të pranishëm për të votuar për, kundër ose abstenim, duhet të zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit”, tha ai.
Baraliu ka paralajmëruar se moszgjedhja e presidentit në afatin kushtetues do të sillte një tjetër krizë institucionale dhe do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Nëse kjo nuk ndodh brenda 60 ditësh, fatkeqësisht përsëri vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme dhe të parakohshme”, tha Baraliu.
