Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë, ka paralajmëruar për kërcënimet që lidhen me spiunazhin dhe sigurinë kombëtare, duke kërkuar që institucionet e Kosovës të mos tolerojnë asnjë element që dëmton interesat shtetërore.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi, Islami i është referuar rastit të Vladan Kostiqit, për të cilin ka deklaruar se e shfaq publikisht admirimin ndaj kriminelëve të luftës. Ai gjithashtu ka ngritur alarmin për ato që i cilëson si përpjekje për ta kthyer OSBE-në në “një fole të agjentëve rusë dhe serbë”.
Në vlerësimin e tij, ekzistojnë tentativa që misionet ndërkombëtare të shërbejnë si mburojë për realizimin e agjendave destabilizuese.
Islami ka përgëzuar angazhimin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në përballjen me spiunazhin.
“Dy vitet e fundit kanë dëshmuar se suksesi i përbashkët i AKI-së, Policisë dhe Prokurorisë Speciale nuk është i rastësishëm, por rezultat i një strategjie të hekurt për pastrimin e vendit nga elementët subversivë”, ka shkruar ai.
Sipas profesorit të shkencave të sigurisë, territori i Kosovës nuk duhet të përdoret si strehë nga spiunazhi armiqësor dhe as nga personat që, siç thotë ai, punojnë në kundërshtim me interesat e shtetit.
Duke deklaruar se “Koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, Islami ka kërkuar që të identifikohet dhe të dalë para drejtësisë secili informator, agjent ose bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja sekrete.
“Çdo informator, agjent apo bashkëpunëtor i tyre do të zbulohet, do të arrestohet dhe do të marrë dënimin e merituar”, ka shkruar Islami.
