Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka hedhur idenë për organizimin e një konvente të madhe të partisë, me synim përcaktimin e drejtimit politik dhe rikthimin e besimit mes strukturave të saj.
Të lidhura
None found
Sipas Hotit, në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjitha nivelet dhe strukturat e LDK-së.
“LDK-ja ka nevojë urgjente për një konventë të madhe, për një pajtim të madh për të qartësuar rrugën tonë përpara”, ka shkruar ai.
Deputeti demokrat ka vlerësuar se konventa do të duhej të shënonte një fillim të ri për partinë, ndërsa njëkohësisht të caktonte ekipin që do ta drejtojë atë në zgjedhjet e ardhshme.
“Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka nënvizuar se forcimi i besimit të brendshëm është i domosdoshëm për krijimin e unitetit, bashkëpunimit në ekip dhe suksesit elektoral.
“Mbi të gjitha, konventa duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka deklaruar se do të kontribuojë në realizimin e këtij procesi, duke theksuar se vetëm një LDK e bashkuar mund ta rifitojë besimin e qytetarëve.
