Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nxjerrë raportin e auditimit të performancës me titull “Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028”. Në të konstatohet se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk kishte garantuar zhvillimin e plotë të prokurimit sipas parimeve të ekonomisë, efikasitetit, trajtimit të barabartë dhe jodiskriminimit.
None found
Procedura, me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë eurosh dhe kohëzgjatje 36 muaj, sipas ZKA-së ishte nisur vetëm 36 ditë përpara përfundimit të kontratave në fuqi. Për këtë arsye, periudha për paraqitjen e ofertave ishte reduktuar nga 40 në 21 ditë.
Megjithatë, shkurtimi i afatit nuk kishte dhënë rezultatin e synuar. Hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë, ndërsa procedura kishte zgjatur rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe ndryshimeve në dosjen e tenderit. Meqë procedura e hapur nuk kishte përfunduar përpara nisjes së sezonit dimëror, Ministria kishte kaluar në procedura të negociuara për të mos ndërprerë mirëmbajtjen e autoudhëve.
Nëpërmjet katër kontratave të negociuara, secila me kohëzgjatje gjashtëmujore, deri në korrik 2026 ishin paguar afërsisht 2.8 milionë euro. ZKA-ja vlerësoi se përdorimi i kësaj forme të prokurimit e kishte ngushtuar konkurrencën dhe kishte siguruar më pak transparencë në krahasim me procedurën e hapur.
Probleme ishin gjetur edhe gjatë shqyrtimit të ofertave. Në disa raste, Komisioni i Vlerësimit nuk kishte kërkuar shpjegimet e nevojshme për paqartësi të natyrës teknike, formale ose metodologjike, edhe pse sqarimi i tyre nuk do ta ndryshonte në thelb përmbajtjen e ofertës. Sipas auditimit, kjo kishte shtuar rrezikun që operatorët ekonomikë të mos trajtoheshin plotësisht në mënyrë të barabartë.
Raporti konstaton gjithashtu se Ministria nuk i kishte shqyrtuar të gjitha variantet e mundshme të kombinimit të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Një kombinim tjetër, i evidentuar nga audituesit, do të sillte një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët se ai i kombinimit të kontraktuar. Për pasojë, Ministria nuk kishte zgjedhur variantin më ekonomik dhe kishte humbur mundësinë që, me buxhetin e përcaktuar, të realizonte më shumë shërbime.
Në raport janë vërejtur edhe diferenca të mëdha ndërmjet çmimeve të paraqitura në oferta dhe vlerave referente të Ministrisë. Në Llotin e tretë, 77 nga gjithsej 113 pozicione, ose 68% e tyre, ishin ofruar me çmime mbi 90% më të ulëta sesa çmimet referente.
Në raste të caktuara, pozicione që Ministria i kishte përllogaritur me 180 ose 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi. Për këto dallime nuk ishte hartuar një analizë e dokumentuar dhe operatorëve ekonomikë nuk u ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme. Sipas ZKA-së, kjo kishte rritur mundësinë e shfaqjes së vështirësive gjatë zbatimit dhe administrimit të kontratave.
Sa i përket integritetit të procedurës, auditimi kishte identifikuar rrethana që potencialisht mund të përbënin konflikt interesi. Kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur më herët një angazhim profesional me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në njërin prej lloteve. Ministria nuk i kishte vlerësuar apo trajtuar këto rrethana dhe çështja nuk i ishte përcjellë autoritetit kompetent, çka kishte krijuar paqartësi për paanshmërinë dhe besueshmërinë e vlerësimit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se nisja në kohë e procedurave, vendosja e kritereve të qarta dhe dokumentimi i vlerësimit të ofertave janë thelbësore për konkurrencë të drejtë dhe përfitim më të lartë nga paratë publike. Ajo kërkoi që Ministria t’i fuqizojë kontrollet në çdo etapë të prokurimit, veçanërisht gjatë analizës së çmimeve, zgjedhjes së kombinimit më ekonomik të ofertave, si dhe parandalimit e menaxhimit të situatave që mund të shkaktojnë konflikt interesi.
Për ta përmirësuar prokurimin dhe për të siguruar shfrytëzim më efikas të fondeve publike, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit shtatë rekomandime.
Fabio RefatllariMesfushori shqiptar, Fabio Refatllari sot mbush 17 vjeç, ndërsa vetëm para 4 ditësh debutoi me ekipin e parë të…
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në një konferencë për mediz ka akuzuar Qeverinë për mungesë reagimi dhe…
Nesër, në vend do të mbajë mot shumë i nxehtë, me temperatura ditore që në disa vende pritet të kalojnë…
B Bashkia Poliçan ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak. Qëllimi i kësaj mbledhja ka qënë miratimi me…
Kadri Xhemaili është dënuar me gjashtë muaj burgim për kanosjen ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Vendimi është…
Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 43 raste të etheve të Nilit Perëndimor, nga të cilat 40…