Zyra Kombëtare e Auditimit publikoi sot rezultatet e deritanishme të auditimeve për sezonin 2025/2026, ku u evidentuan një sërë shkeljesh në institucionet publike, që prekin prokurimin, buxhetin, administrimin e pronës dhe subvencionet.
Në një konferencë për media, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj paraqitën gjetjet kryesore, duke nënvizuar se auditimet po vazhdojnë të nxjerrin në pah dobësi të përsëritura në menaxhimin e financave publike.
None found
Sipas Spancës, për sezonin 2025/2026 janë paraparë 145 auditime dhe 102 prej tyre tashmë janë publikuar. Ajo tha se deri më 30 qershor pritet të përfundojnë 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë dhe 12 auditime të ndërmarrjeve publike, ndërsa auditimet e tjera të Pajtueshmërisë, Performancës, ato të klasifikuara dhe auditimet e projekteve të Bankës Botërore pritet të mbyllen sipas planit gjatë vitit. Po sipas saj, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Kosovës pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht të vitit 2026.
Ajo bëri të ditur se nga 94 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë nxjerrë 55 opinione të kualifikuara, 4 të kundërta dhe 35 të pamodifikuara.
Në ndërmarrjet publike, sipas Spancës, janë evidentuar 4 opinione të kundërta dhe 5 të kualifikuara.
Sipas ZKA-së, ndër problemet më të theksuara janë pasaktësitë në raportimin financiar, shkeljet në procedurat e prokurimit, si edhe mangësitë në menaxhimin e kontratave dhe të shpenzimeve publike.
Raporti i prezantuar sot evidenton shkelje sistematike si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Mes tyre përmenden hyrja në obligime pa mbulesë buxhetore, kontraktimi i projekteve pa fonde të siguruara, vonesat në zbatimin e investimeve kapitale dhe mosrespektimi i procedurave të prokurimit publik.
Po ashtu, janë konstatuar edhe pagesa me vonesë, angazhime të stafit jashtë procedurave ligjore dhe përdorim i pamjaftueshëm i sistemit të e-prokurimit.
Një pjesë e theksuar e raportit lidhet me Komunën e Prishtinës, për të cilën ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë.
Sipas raportit, aty janë identifikuar 52 raste të klasifikimit të gabuar të shpenzimeve, në një vlerë mbi 7.7 milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 27 milionë euro, si dhe pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe në detyrimet financiare.
ZKA ka shprehur shqetësim edhe për një projekt me UNDP-në, ku janë transferuar 5.2 milionë euro si parapagim, ndërsa sipas raportit mungon monitorimi i plotë institucional dhe transparenca për zbatimin e tij.
Po në këtë raport evidentohen edhe shumë shkelje në procedurat e prokurimit, përfshirë gabime gjatë vlerësimit të ofertave, mospërfshirje të pozicioneve në kontrata dhe devijime në vlerat përfundimtare të projekteve.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe raste të lidhjes së kontratave pa mbulesë buxhetore, si dhe nisje punimesh pa lejet e nevojshme ndërtimore në projekte të mëdha infrastrukturore.
Spanca deklaroi më tej se gjatë vitit 2025, pagesat përmes vendimeve gjyqësore kanë kaluar mbi 45 milionë euro. Ajo shtoi se janë regjistruar edhe vonesa në pagesa deri në 131 ditë, si dhe mungesë dokumentacioni për ndarjen e saktë të kamatave dhe shpenzimeve përmbarimore.
Në disa raste, tha ajo, subvencionet janë ndarë pa procedura të hapura konkurruese, përfshirë edhe financimin e organizatave joqeveritare, gjë që sipas Spancës përbën shkelje të rregullave të transparencës dhe barazisë në financimin publik.
Në kuadër të auditimeve të performancës, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj tha se janë gjetur mangësi serioze në disa institucione publike.
Për “Termokos”, raporti përmend shpërndarje të pabarabartë të ngrohjes, një sistem të dobët faturimi dhe mungesë të kapaciteteve rezervë.
Në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), janë vërejtur probleme me sistemin elektronik, mungesë të të dhënave të plota dhe inspektime të parregullta.
Ndërkaq, në Universitetin e Prishtinës, sistemi SEMS është vlerësuar me mangësi në qeverisjen e TI-së, në sigurinë e të dhënave dhe në varësinë nga operatorët e jashtëm.
Në fund, ZKA u bëri thirrje institucioneve publike që rekomandimet e auditimit t’i trajtojnë me seriozitet, duke theksuar se synimi i tyre është përmirësimi i qeverisjes dhe rritja e llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.
Sipas raportimeve të mediave botërore, ylli i Barcelonës, Raphinha, është tradhtuar financiarisht nga babai i tij, Rafael Belloli.Raportet pretendojnë se…
Temperaturat e verës i kanë detyruar përsëri shoferët të përdorin kondicionerin sapo ulen në veturë. Por a e keni vënë…
Prodhuesi i makinave Volkswagen me seli në Wolfsburg po përgatitet për ndryshime.Raportohet se drejtori ekzekutiv Oliver Blume po planifikon të…
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave njofton opinionin se në përputhje me udhëzimet e Qeverisë, si dhe me…
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se të ardhurat nga taksat mjedisore gjatë vitit 2025 kanë shënuar rritje…
Partia Demokratike ka njoftuar se të mërkurën, më 1 korrik, në orën 18:00, do të zhvillohet mbledhja konstituive e Këshillit…