Për më shumë se një muaj, Kuvendi i Kosovës nuk zhvilloi veprimtari parlamentare, por kjo nuk e pengoi gati gjysmën e deputetëve që të punësonin asistentë personalë që në ditët e para pas betimit.
None found
Gjatë kësaj kohe, institucioni ligjvënës mbeti i bllokuar në fazën e konstituimit, pa mbajtur seanca pune për trajtimin e projektligjeve apo të çështjeve të tjera të agjendës parlamentare. Ekspertët që monitorojnë punën e Kuvendit e konsiderojnë angazhimin e asistentëve në këto rrethana si veprim të papërgjegjshëm dhe joetik.
Procesi i konstituimit përfundoi vetëm më 13 shtator, ndonëse Kuvendi mbeti pa një nënkryetar. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e tërhoqi kandidaten e vet dhe nuk mori pjesë në vazhdimin e seancës inauguruese.
Po atë ditë, më vonë, 62 deputetë votuan Qeverinë e re të Kosovës, të katërtën të drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Deri më 11 shtator, të drejtën për të angazhuar asistentë e kishin shfrytëzuar 52 nga 120 deputetët e Kuvendit. Të dhënat e siguruara nga institucioni ligjvënës tregojnë se 12 prej tyre morën ndihmës më 7 gusht, vetëm një ditë pasi ishin betuar.
Në ditët e tjera të gushtit, asistentë angazhuan edhe 32 deputetë, ndërsa tetë ligjvënës të tjerë e bënë këtë gjatë muajit shtator.
Sa rëndojnë asistentët e deputetëve mbi buxhetin e Kosovës?
Sipas Kuvendit, paga bruto e një zyrtari personal arrin në 972.4 euro, pa llogaritur shtesën që përfitohet për përvojën e punës.
Kjo do të thotë se 52 asistentët i kushtojnë buxhetit më shumë se 50 mijë e 500 euro në muaj.
Në Rregulloren e punës së Kuvendit thuhet se stafi politik ka për detyrë t’i sigurojë deputetit përkrahje profesionale dhe teknike gjatë ushtrimit të funksionit.
Elementet e tjera që lidhen me angazhimin e kësaj kategorie të zyrtarëve politikë përcaktohen përmes një akti të veçantë, të miratuar nga Kryesia e Kuvendit.
Rregullorja për Shtesa mbi Pagën Bazë për Deputetët dhe ajo për Klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit përcaktojnë se kontrata e zyrtarëve të deputetëve zgjat aq sa mandati i punëdhënësit të tyre politik.
Cilët deputetë morën asistentë?
Nga 12 deputetët që angazhuan asistentë më 7 gusht, një ditë pas betimit të 6 gushtit, katër ishin nga PDK-ja, shtatë nga Aleanca dhe një nga LVV-ja.
Punësimi i stafit mbështetës u shtua më tej gjatë gushtit, kur u angazhuan edhe 32 asistentë. Ndërkaq, në dhjetë ditët e para të shtatorit u punësuan tetë të tjerë.
Angazhimet cilësohen si sjellje e papërgjegjshme dhe joetike
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerësojnë se rregullimi ligjor i angazhimit të asistentëve nuk e arsyeton vendimin e deputetëve. Sipas tyre, për sa kohë Kuvendi nuk ishte konstituuar, deputetët nuk kishin detyra në kryerjen e të cilave mund të ndihmoheshin nga asistentët.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Jakaj thotë se deputetët që morën asistentë para konstituimit të Kuvendit duhet të tregojnë se cila ishte nevoja reale për ta dhe çfarë pune konkrete kryen ata.
Jakaj rikujton se, pavarësisht betimit të deputetëve, Kuvendi ende nuk ishte konstituuar. Për këtë arsye, ligjvënësit nuk mund ta ushtronin plotësisht funksionin parlamentar dhe institucioni nuk zhvillonte veprimtari të rregullt që do ta justifikonte në të njëjtën masë nevojën për staf mbështetës.
Sipas tij, veçanërisht problematike janë rastet kur deputetët i angazhuan asistentët menjëherë pas betimit, në një periudhë pa punë parlamentare, pa komisione funksionale dhe pa seanca të rregullta.
Jakaj thekson për REL-in se lejimi i një veprimi nga Rregullorja nuk e mbyll debatin, pasi ligjshmëria përbën vetëm standardin minimal. Sipas tij, deputetëve u kërkohet gjithashtu përgjegjësi etike dhe profesionale gjatë shpenzimit të parasë publike.
Cakolli thotë se vetë Rregullorja e punës së Kuvendit e ndërlidh punësimin e asistentëve me ushtrimin e funksionit të deputetit. Për këtë arsye, sipas tij, mbetet e diskutueshme nëse stafi mbështetës mund të angazhohej përpara konstituimit të Kuvendit.
Për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se deputetët nuk mund ta ushtrojnë funksionin pa pasur një Kuvend të konstituuar. Sipas Cakollit, institucioni mund ta nisë punën në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese ligjvënëse, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese vetëm pasi të jetë konstituuar plotësisht dhe të jenë formuar grupet punuese në Kuvend.
Cakolli thotë se pagat e deputetëve dhe të asistentëve të tyre zakonisht u kushtojnë taksapaguesve rreth 300 mijë euro çdo muaj.
Ai e sheh problemin te aktivizimi i menjëhershëm i të drejtave financiare dhe benefiteve të deputetëve, ndërkohë që përgjegjësitë dhe puna e tyre institucionale mbeten në pritje ose zvarriten në tërësi.
Sipas Cakollit, kjo çështje duhet të rregullohet në mënyrë që deputetët të mund të angazhojnë staf mbështetës dhe të përfitojnë benefite të tjera vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituuar.
Ai përfundon se një rregullim i tillë do t’i parandalonte rastet kur Kuvendi mund të mbetej i pakonstituuar për muaj të tërë, ndërsa paga do të merrnin jo vetëm deputetët, por edhe asistentët e tyre, të cilët, sipas vlerësimit të tij, kanë pasur angazhim minimal, për të mos thënë inekzistent.
Ditën e sotme, Gjykata e Lartë shqyrton çështjen që lidhet me masën e sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës,…
Mesfushori i Arsenalit, Martin Zubimendi, po kërkon të largohet nga “Emirates Stadium”, vetëm pesë ndeshje pas fillimit të sezonit të…
Një dron që kishte shkelur gjatë natës hapësirën ajrore të Lituanisë është rrëzuar nga avionë luftarakë të NATO-s, bëri të…
Huthët e Jemenit, të lidhur me Iranin, kanë nisur një valë të re sulmesh ndaj Arabisë Saudite, ndërsa forcat e…
Euro e ka nisur javën me rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun dhe ka prekur një minimum…
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar për herë të parë publikisht se disponojnë armë të vendosura në orbitë, të destinuara për…