Categories: kosovë

Grupet parlamentare gati të plotësuara, Kuvendi pritet të mblidhet brenda javës

Të gjitha forcat politike që kanë fituar ulëse në legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës kanë përmbushur detyrimin për regjistrimin e grupeve parlamentare, me përjashtim të grupit multietnik. Vonesa lidhet me faktin se disa deputetë të komuniteteve joserbe janë emëruar në poste qeveritare dhe ende nuk janë zëvendësuar me përfaqësues të rinj. Burime brenda këtij grupi i thanë KosovaPress se, sipas të dhënave joformale, ligjvënësit mund të thirren në seancë gjatë këtyre ditëve, pavarësisht një çështjeje të hapur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e parlamentit dhe krijimin e ekzekutivit.

Të lidhura

None found

Glauk Tahiri, këshilltar i kryeparlamentares Albulena Haxhiu, konfirmoi për KosovaPress se regjistrimi i grupeve ka përfunduar. Megjithatë, ai solli në vëmendje ankimimin e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj procesit të konstituimit dhe shprehu shpresën për një zgjidhje të shpejtë nga ana e gjykatës.

“Të hënën ishte dita e fundit për të dorëzuar emrat dhe strukturën e grupeve parlamentare. Grupi parlamentar i PDK-së ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese si konstituimin e Kuvendit ashtu edhe vendimin për miratimin e qeverisë. Presim që gjykata të japë shpejt një vendim lidhur me këto kërkesa”, deklaroi Tahiri.

Deputeti i komunitetit rom, Albert Kinolli, shpjegoi për KosovaPress se shkaku i vetëm pse grupi parlamentar multietnik mbetet i paregjistruar është kalimi i katër anëtarëve të tij në strukturën e qeverisë Kurti 4, ku ata mbajnë tani poste ministrore.

Ai sqaroi se formimi i grupit do të bëhet i mundur menjëherë pasi deputetët zëvendësues të japin betimin. “Katër pjesëtarë të grupit multietnik kanë kaluar në qeveri si ministra. Përderisa pasardhësit e tyre nuk janë betuar ende, grupi nuk mund të konstituohet. Sapo të kryhet betimi i anëtarëve të rinj, grupi parlamentar do të formohet pa vonesë”, theksoi Kinolli.

Kinolli la të kuptohet gjithashtu se një seancë plenare mund të mbahet brenda kësaj jave. “Nga informacionet joformale që kam, besoj se shumë shpejt do të ketë thirrje për seancë. (Brenda kësaj jave?) Po, ashtu presim”, shtoi ai.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, nuk e sheh si pengesë mbajtjen e seancave dhe funksionimin e komisioneve parlamentare. Sipas vlerësimit të tij, Kuvendi është plotësisht operacional derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë një masë të përkohshme ose të japë një aktgjykim mbi kërkesën e PDK-së.

“Askush nuk i pengon deputetët të mblidhen për të diskutuar rezolutën për Dhomat e Specializuara apo çështje të tjera, për sa kohë që nuk ka masë të përkohshme dhe as vendim përfundimtar. Gjithçka varet nga vullneti politik, në radhë të parë i shumicës, që i ka numrat dhe drejton parlamentin, si dhe nga gatishmëria e kryetares së Kuvendit”, u shpreh Bugaqku.

Edhe juristi Anton Ndrecaj ndan të njëjtin qëndrim, por tërheq vëmendjen te domosdoshmëria e rikthimit të PDK-së në Kuvend dhe zhvillimit të votimit për kandidatin e tyre për nënkryetar. Ai sugjeron se pala ankuese mund të heqë dorë nga kjo pjesë e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, duke lënë në shqyrtim vetëm çështjen e afatit kushtetues të konstituimit.

“Nëse PDK-ja rikthehet dhe pranon të vijojë procedura për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e veta, atëherë Kuvendi mund të fillojë punën normalisht, edhe pse çështja ndodhet në Kushtetuese. Ata mund të tërheqin ankesën për nënkryetarin dhe të lejojnë vazhdimin e shqyrtimit vetëm për afatin kushtetues të konstituimit”, argumentoi Ndrecaj.

Të hënën, Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kjo nismë vjen si reagim ndaj vendimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — një aktgjykim që forcat politike dhe qytetarët e kanë quajtur të padrejtë dhe të papranueshëm.

Që nga 16 shtatori, kur u shpall dënimi për ish-krerët e UÇK-së, PDK-ja ka lënë të hapur mundësinë e kthimit në Kuvend, megjithëse ka depozituar më parë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e konstituimit të legjislaturës dhe formimit të qeverisë së re.

të fundit

Remitencat nga diaspora kapën shifrën 692 milionë euro në Kosovë gjatë gjysmës së parë të 2026-s

Dërgesat e diasporës në Kosovë arritën në 692 milionë euro gjatë 6 muajve të parë të vitit 2026. Sipas Bankës…

5 minutes ago

Analizë/ Pesë mënyra se si Putini mund ta përdorë fitoren e Rusisë së Bashkuar në zgjedhjet për Dumën

Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, ruajti një shumicë dërrmuese në Dumën ruse, në një proces zgjedhor të zhvilluar në…

11 minutes ago

Ardian Gjini zhvillon takim me delegacionin e lartë shtetëror e diplomatik nga Franca

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka pritur në takim një delegacion të lartë shtetëror dhe diplomatik nga Franca. Gjini poashtu…

16 minutes ago

Tomë Gashi e quan të pafrytshme nismën e PDK-së për ndryshimin e ligjit të Dhomave të Specializuara

Një ligj që u votua para 11 vitesh, tashmë po i shihen pasojat. Kërkesa e PDK-së për ndryshimin e Ligjit…

16 minutes ago

Nafta shtrenjtohet, ndërsa benzina bëhet më e lirë në Maqedoninë e Veriut

Komisioni Rregullator për Energjetik njofton se është rritur çmimi i naftës së dizellit, ndërsa është ulur çmimi i benzinës.Çmimet e…

19 minutes ago

Blushi akuzon: “KAYO është skemë mafioze, ka eliminuar kontrollin kushtetues dhe ligjet e prokurimit publik”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe deputeti Tedi Blushi ka deklaruar se Shqipëria po förballet me probleme serioze…

26 minutes ago