Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) së bashku me Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Prishtinës organizuan konferencën ndërkombëtare me temë “Twin Transformation: Reconceptualizing Organizations and Ecosystems”. Gjatë këtij aktiviteti u trajtuan çështje që lidhen me dixhitalizimin, tranzicionin ekologjik, inovacionin si dhe zhvillimin e ekosistemeve të sipërmarrjes, njofton Ekonomia Online.
None found
Në fjalën e tij hapëse, nënkryetari i ASHAK-ut, Fejzullah Krasniqi, vlerësoi lart rolin dhe punën e Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila deri pak ditë më parë ishte në krye të këtij institucioni.
“Fjalën e hapjes së kësaj konference ishte planifikuar ta mbante kryetarja e deritanishme, Akademikja Justina Shiroka-Pula, e cila dy ditë më parë u propozua dhe për fat të mirë u zgjodh presidente e Kosovës. Ky fakt përbën një nderim të veçantë jo vetëm për Akademiken Justina Shiroka-Pula, por edhe për vetë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ajo shërbeu me përkushtim të jashtëzakonshëm në cilësinë e kryetares”, u shpreh ai.
Krasniqi theksoi se tema e trajtuar në konferencë është jashtëzakonisht aktuale dhe ka rëndësi të madhe për kërkimin shkencor, analizat ekonomike dhe modernizimin e organizatave të sotme.
“Tema e kësaj konference është tejet aktuale dhe me peshë të shumëfishtë. Ajo prek fushën e kërkimit shkencor, të studimeve ekonomike dhe të transformimit të organizatave bashkëkohore. Dixhitalizimi dhe tranzicioni i gjelbër po shfaqen çdo ditë e më shumë si procese të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si organizatat, institucionet dhe ekosistemet ekonomiko-sipërmarrëse mendohen, strukturohen dhe evoluojnë”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi gjithashtu se kërkimi shkencor, inovacioni dhe bashkëpunimi mes universiteteve, qendrave kërkimore dhe biznesit janë thelbësore për përparimin e shoqërisë.
“Në këtë kontekst, rëndësia e kërkimit shkencor dhe e inovacionit po rritet vazhdimisht. Përparimet në inteligjencën artificiale, transformimi dixhital në fushën e sipërmarrjes dhe ekonomisë, tranzicioni i gjelbër dhe zhvillimi i ekosistemeve sipërmarrëse kërkojnë qasje të reja shkencore, bashkëpunim ndërdisiplinor e ndërinstitucional si dhe lidhje më të forta midis universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit privat dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit. Programi i konferencës është hartuar pikërisht për të pasqyruar këtë larmi tematike dhe ndërdisiplinore. Nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve profesionale, konferenca do të ofrojë një hapësirë të vlefshme për prezantimin e gjetjeve shkencore, shkëmbimin e ideve dhe debatin kritik mbi sfidat e shoqërisë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, profesori i Fakultetit Ekonomik, Besnik Krasniqi, u ndal te ndikimi që ka transformimi dixhital në sipërmarrje dhe ekonomi, duke vënë në dukje edhe problematikat që lidhen me aftësitë, pabarazitë, besimin dhe mbrojtjen e privatësisë.
“Transformimi dixhital, si një qasje e re ndaj dijes, i vë sipërmarrësit në kontakt me tregje të reja dhe hap mundësi të papara për inovacion. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ai shtron pyetje thelbësore rreth aftësive, pabarazive, besimit, privatësisë dhe rolit që do të luajë në të ardhmen. Siç ka thënë dikur ekonomisti Kevin Baldwin: ‘Kushdo që mendon se rritja eksponenciale mund të vazhdojë pafundësisht në një botë me burime të kufizuara, është ose i çmendur ose ekonomist’. Por ky mendim përcjell një mesazh të qartë: progresi nuk duhet të matet vetëm me sasinë e prodhimit apo shpejtësinë e rritjes. Ai duhet të gjykohet edhe nga qëndrueshmëria, përfshirja, përgjegjësia dhe aftësia për të përmirësuar jetën e njerëzve në plan afatgjatë”, u shpreh ai.
Krasniqi theksoi se vëmendja nuk duhet të përqendrohet thjesht te ndryshimi, por te mënyra se si ai mund të orientohet në drejtime inovative, etike dhe të qëndrueshme.
“Prandaj, pyetja kryesore nuk është nëse transformimi do të ndodhë, pasi ai tashmë është në zhvillim e sipër. Çështja është nëse ne mund ta kuptojmë dhe ta drejtojmë atë në mënyra që janë inovative, etike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Mu në këtë pikë, kërkimi në fushën e menaxhimit dhe sipërmarrjes luan një rol qendror. Ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me përshkrimin e ndryshimeve teksa ndodhin. Ne duhet të shpjegojmë shkaqet që i nxisin ato, qasjen, pasojat, sfidat dhe supozimet që i shoqërojnë. Për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, këto çështje kanë një rëndësi të veçantë. Ne kemi të rinj me talent, energji sipërmarrëse, një diasporë të fortë dhe potencial në rritje në sektorin dixhital. Por, paralelisht, përballemi me sfida të shumta që lidhen me konkurrencën dhe aftësitë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Këto vështirësi nuk duhet të na shkurajojnë. Përkundrazi, ato duhet të na motivojnë të hulumtojmë dhe të punojmë me një qëllim më të lartë e mbi bazën e provave më të forta”, përfundoi ai.
Në kuadër të konferencës foli edhe Irina Burns, drejtoreshë e Revistave Shkencore dhe Komunikimit me Komunitetin Global pranë AOM, e cila prezantoi misionin e Akademisë dhe nismat për të zgjeruar aksesin e studiuesve në rrjetin shkencor ndërkombëtar.
“E themeluar në vitin 1936, ne kemi më shumë se 22 mijë anëtarë në 110 vende të botës dhe po e zgjerojmë edhe më tej praninë tonë. Misioni i Akademisë është të krijojë një bashkësi studiuesish, t’i lidhë ata dhe të eksplorojë idetë në nivel global. Vizioni ynë është të frymëzojmë kërkime dhe mësimdhënie më cilësore në fushën e menaxhimit dhe organizatave në mbarë botën”, tha ajo.
Burns prezantoi gjithashtu Programin për Përshpejtimin e Komunitetit (CAP), duke sqaruar se kjo nismë synon të lehtësojë qasjen në kërkime dhe botime shkencore.
“Në kuadër të ‘Vizionit 2030’, kemi krijuar Programin për Përshpejtimin e Komunitetit, CAP. CAP e ka origjinën në Ballkanin Perëndimor. Ishte eksperimenti ynë i parë. Donim të shihnim nëse mund t’u ofronim studiuesve nga e gjithë bota qasje në programin tonë për përshpejtimin e komunitetit, në botimet tona dhe në rrjetin tonë global. Iniciativat e CAP kanë për qëllim të zgjerojnë aksesin, të forcojnë partneritetet dhe të fuqizojnë punën shkencore të studiuesve. Koncepti bazohet në idenë se të gjithë kanë kërkime të mira dhe punë shkencore cilësore. Ka njerëz me inteligjencë të lartë në çdo cep të botës, por jo të gjithë kanë mundësi të barabarta qasjeje. Prandaj, misioni i Akademisë tani është t’u sigurojë të gjithëve qasje të barabartë”, deklaroi ajo.
Me marrjen e detyrës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”…
Spiropali i përgjigjet Bardhit në Kuvend: “Nuk më shantazhon dot askush, as ata që të shantazhuan ty” Deputetja e Partisë…
Dje Gjykata Kushtetuese mori një vendim që krijon një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për gjuhën shqipe dhe për sigurinë juridike…
Rreth 400 metra kub dru zjarri, me një vlerë tregu të vlerësuar prej rreth 2 milionë denarësh (mbi 30 mijë…
Superliga e Irlandës po hyn në një fazë të pazakontë finale të kampionatit. St. Patrick's, Bohemians dhe Shamrock Rovers kanë…
Protesta e qytetarëve në Shqipëri, e cila vijon prej 130 ditësh, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave dhe gazetarëve ndërkombëtarë.…