Jugosllav Radeviç u arrestua mbrëmjen e së shtunës, gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Të lidhura
None found
Operacioni u shtri në disa lokacione, ndërsa Radeviç dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Autoritetet njoftuan se hetimet po vazhdojnë, por nuk dhanë hollësi të tjera për të mos cenuar integritetin e procedurës. Sipas raportimeve, Jugosllav Radeviq dyshohet se mund të ketë lidhje edhe me rastin e Kalludrës, ku po kryhen hetime dhe gërmime nën dyshimet se aty ndodhet një varrezë masive me persona të zhdukur gjatë luftës.
Kërkimet për mbetje mortore në Kalludër të Zubin Potokut vijojnë dhe parashikohet që puna në terren të zgjasë disa javë, e ndoshta edhe muaj.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi të shtunën se gjatë gërmimeve në këtë zonë janë gjetur mbetje të tjera mortore.
Gjatë vizitës në lokacion, Kurti tha se, për aq kohë sa ndodheshin aty, ishin zbuluar edhe disa koka të reja, pasi kërkimet ende po vazhdonin.
Sipas tij, mbetjet janë të shpërndara përgjatë një përroi, çka e bën më të ndërlikuar zhvarrimin dhe identifikimin e tyre.
Kurti vlerësoi se përroi mund t’i ketë zhvendosur trupat gjatë pranverës. Për këtë arsye, edhe nëse viktimat fillimisht janë varrosur në një vend të vetëm, mbetjet mund të mos ndodhen më në atë pikë.
Ai sqaroi se identiteti i viktimave mund të përcaktohet vetëm përmes analizave të ADN-së. Dyshimet janë se mbetjet mund t’i përkasin grupit të 23 intelektualëve shqiptarë, të cilët u rrëmbyen dhe u ekzekutuan në prill të vitit 1999.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se gërmimet mund të zgjasin edhe shumë javë apo muaj, për shkak se eshtrat janë gjetur të shpërndara buzë përroit. Ai theksoi se ky përrua ka gjasa të jetë i fuqishëm gjatë pranverës dhe mund t’i ketë lëvizur trupat nga vendi ku ishin varrosur. Duke folur edhe për proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krimet e luftës, Kurti e akuzoi Serbinë se po arreston njerëz që kanë ofruar informacione për këto krime.
Kurti shprehu mirënjohje për ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të EULEX-it që po punojnë në terren. Ai gjithashtu nënvizoi se institucionet e Kosovës do ta mbështesin procesin derisa të sqarohet fati i personave të zhdukur në luftë.
Ndërkohë, ish-eprori i UÇK-së, Naim Miftari, ka paraqitur detaje të tjera lidhur me të arrestuarin Radeviç.
Në një prononcim për “Bota sot”, Miftari deklaroi se Radeviç ka punuar si zjarrfikës në Zubin Potok. Ai kërkoi të zbulohet se me kë kishte qenë i arrestuari dhe cilët persona të tjerë kishin marrë pjesë në pushkatimin e 23 intelektualëve të Mitrovicës.
Sipas Miftarit, Jugosllav Radeviç ka qenë paramilitar, roje e urës dhe pjesëtar i mbrojtjes civile, ndërsa Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiçi e kishin pranuar në organet e sigurisë së Kosovës. Ai tha se Radeviç sot punon si zjarrfikës serb në Zubin Potok dhe kërkoi që të merret në pyetje për personat që e shoqëronin dhe për të tjerët që morën pjesë në ekzekutimin e 23 intelektualëve të Mitrovicës.
Miftari kërkoi gjithashtu të sqarohet se kush ishte shqiptari nga Runiku dhe si ishte vendosur kontakti me një “shumar” serb, mik i babait, i cili duhej t’ua tregonte rrugën drejt Malit të Zi. Sipas tij, ky serb kishte radiolidhje të policisë serbe dhe i kishte informuar forcat serbe për grupin dhe drejtimin në të cilin po lëvizte.
Ai ngriti pyetje edhe për mënyrën se si kishte shpëtuar Faruk Spahiu, kryetari i Mitrovicës, së bashku me disa pjesëtarë të tjerë, ndoshta tre ose katër persona. Miftari kërkoi të bëhet e ditur se cili prej komandantëve serbë i kishte ndihmuar dhe kush i kishte liruar nga stacioni i policisë serbe në Mitrovicë të nesërmen.
Ish-eprori i UÇK-së komentoi edhe deklaratën e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili kishte vizituar zonën e gërmimeve dhe kishte kërkuar vazhdimin e arrestimeve të serbëve të dyshuar për krime lufte. Miftari reagoi duke kërkuar që të mos “bëhen filma”.
Ai u bëri thirrje ministrave të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të opozitës që të kërkojnë me këmbëngulje vazhdimin pa ndërprerje të punës nga forenzika, mjekësia ligjore dhe të gjitha degët përgjegjëse për verifikimin e viktimave.
Miftari kërkoi që mbetjet mortore në veri të verifikohen dhe që politikanët të mos organizojnë, siç u shpreh ai, defile dhe ekzibicione në vendin ku dyshohet se ndodhet një varr masiv me civilë shqiptarë të luftës së viteve 1998–1999. Në vend të shfaqjeve dhe rolit të patriotëve, ai kërkoi rezultate sa më të shpejta për këtë çështje të dhimbshme.
