Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi ishte kthyer nga policia. Vrasja ka sjellë reagime dhe hetime jo vetëm për rrethanat e ngjarjes, por edhe për mënyrën si institucionet e kishin trajtuar rastin e saj.
Para vrasjes, Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje institucionale. Ajo kishte denoncuar dhunën në familje dhe kishte shprehur frikë për jetën. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
None found
Më 22 tetor 2026, tri ditë përpara ngjarjes, Zekaj i ishte drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, për të ngritur shqetësimin mbi sigurinë e saj dhe për të kërkuar ndërhyrje. Më 23 tetor, një hetues policor u kishte kërkuar drejtuesve të Policisë në Pejë që patrullat ta vizitonin çdo ditë dhe të mbanin kontakte të rregullta me të, për shkak të tensioneve familjare.
Ditën e vrasjes, më 25 tetor, Zekaj kishte njoftuar sërish policinë se bashkëshorti i saj kishte shkelur urdhrin mbrojtës. Pas këtij raportimi, bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë. Pak minuta pasi u kthye nga policia, ajo u vra në banesën e saj.
Pas ngjarjes, hetimet u përqendruan edhe te veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve që kishin qenë përgjegjës për rastin. Më 14 nëntor 2026, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare bëri publike gjetjet e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.
Raporti evidentoi mangësi dhe shkelje në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt: mosrespektim të afateve gjyqësore, mungesë monitorimi dhe mosndjekje të procedurave standarde të menaxhimit. Ndër gjetjet ishte vonesa e një raporti të kërkuar nga Gjykata. Aktvendimi i 24 shtatorit kishte caktuar një afat shtatëditor, ndërsa raporti ishte dorëzuar më 5 tetor.
Sipas Inspektoratit, menaxherja e rastit nuk kishte marrë pjesë në seancën gjyqësore të 5 tetorit dhe për mungesën e saj nuk ishte evidentuar arsyetim. QPS-ja gjithashtu nuk e kishte kryer monitorimin e kërkuar pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të 7 shtatorit, megjithëse kishte përgjegjësi të vepronte edhe pa urdhër të posaçëm nga Gjykata.
Inspektimi konstatoi se nuk ishin plotësuar formularët për kontaktet dhe punën e kryer në rast, mungonte Plani Individual i Shërbimeve dhe udhëheqësi i Shërbimeve Sociale nuk kishte ushtruar mbikëqyrje profesionale mbi punën e menaxheres së rastit.
Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i rekomandoi kryetarit të Komunës së Pejës masa disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K. Ministria kërkoi gjithashtu shtim urgjent të stafit profesional të licencuar në QPS-në e Pejës, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe territorin që mbulon qendra.
Një rekomandim tjetër kishte të bënte me zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., për të garantuar pavarësinë profesionale të Qendrës për Punë Sociale dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive mes institucioneve. Ministria i kërkoi Komunës së Pejës t’i trajtonte rekomandimet pa vonesë dhe ta njoftonte zyrtarisht për masat e marra.
Pas publikimit të raportit, Komuna e Pejës reagoi përmes Qendrës për Punë Sociale me një sqarim mbi trajtimin e rastit. QPS-ja tha se kishte ndërmarrë veprime profesionale, mes tyre ndërhyrjen fillestare pas kërkesës së Policisë, angazhimin e punonjësit social në kujdestari 24-orëshe, vizita në terren dhe vlerësimin e rrethanave familjare.
Sipas QPS-së, punonjësit kishin biseduar me prindërit dhe familjarët, si dhe kishin kërkuar e siguruar dokumente nga institucionet arsimore dhe shëndetësore, përfshirë shkollën “The Cambridge School” dhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë. Qendra tha se kishte marrë pjesë edhe në procedurat pranë Gjykatës Themelore në Pejë, ku kishte paraqitur vlerësimet profesionale për gjendjen dhe nevojat e fëmijës.
Gjetjet e Inspektoratit, QPS-ja i cilësoi si çështje që kërkojnë përmirësime administrative, organizative dhe procedurale. Ajo bëri të ditur se do t’i trajtojë me seriozitet rekomandimet dhe do të ndërmarrë veprime për plotësimin e dokumentacionit, respektimin e afateve dhe forcimin e mbikëqyrjes profesionale.
Vrasja ka sjellë edhe hapa të tjerë institucionalë. Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, ndërsa hetimet u shtrinë edhe te përgjegjësia institucionale. Është ngritur gjithashtu një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.
Me publikimin e raportit për QPS-në e Pejës, vëmendja është kthyer te përgjigjja që morën kërkesat e Arlinda Zekajt për mbrojtje dhe te përgjegjësia e zyrtarëve që trajtuan rastin. Rekomandimet e Ministrisë pritet të shërbejnë si bazë për veprime të mëtejshme lidhur me mangësitë e konstatuara në funksionimin e qendrës.
Kompania hapësinore SpaceX, e themeluar nga Elon Musk, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në eksplorimin e hapësirës, duke…
Mbi 22 milionë persona janë prekur nga një sulm kibernetik mbi platformën franceze Maileva, në pronësi të grupit La Poste.…
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në gjykimin për administrim të drejtësisë në Dhomat…
Shërbimet amerikane të sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë pas informacioneve për një plan të mundshëm iranian për të kryer…
Shërbimet amerikane të sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë pas informacioneve për një plan të mundshëm iranian për të kryer…
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në gjykimin për administrim të drejtësisë në Dhomat…