Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka kundërshtuar pretendimet se qytetarë nga Kosova kanë pasur ndikim në protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke i cilësuar këto si përpjekje për të gjetur përgjegjës jashtë vendit.
Në një postim të tij, Gashi vlerësoi se protestat e mëdha në Tiranë janë pasqyrim i pakënaqësisë së brendshme qytetare dhe se ato nuk mund të arsyetohen me praninë e disa qindra personave nga Kosova.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh se çështja lidhet me standardin e demokracisë, mënyrën e qeverisjes dhe mungesën e besimit ndaj institucioneve, ndërsa zhvendosja e vëmendjes te fajtorë të jashtëm, sipas tij, shmang diskutimin për arsyet e vërteta të pakënaqësisë së qytetarëve.
Postimi i plotë:
Nuk po habitem fare me mënyrën si po kërkohen fajtorë jashtë për protestat, kur në të vërtetë problemi është tërësisht i brendshëm.
Po ndjek zhvillimet politike dhe mediatike në Tiranë dhe kam përshtypjen se ajo që po ndodh, përtej debatit të ditës, përbën një tregues më të thellë për gjendjen e shoqërisë dhe modelin e qeverisjes.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe vlerësimeve të organizatorëve, në protesta kanë marrë pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, ndërsa disa burime përmendin shifra që kalojnë 100 mijë dhe, në raste të caktuara, arrijnë edhe mbi 200 mijë protestues. Pavarësisht dallimeve në shifra, një fakt mbetet i qartë: bëhet fjalë për një mobilizim masiv qytetar dhe jo për një fenomen anësor.
Në këtë rrethanë, pretendimet se në protesta kanë qenë të pranishme rreth 100 makina nga Kosova, çka do të nënkuptonte rreth 300–400 qytetarë, duken krejtësisht joproporcionale krahasuar me përmasën e protestës. Edhe nëse kjo shifër do të ishte e saktë – për të cilën kam dyshime serioze – ajo nuk shpjegon asgjë përballë dhjetëra apo qindra mijëra qytetarëve që dalin në rrugë.
Madje, mbi 3 milion hyrje nga Kosova regjistrohen çdo vit në Shqipëri. Kjo nënkupton se, në aspektin statistikor, pothuajse çdo qytetar i Kosovës udhëton në Shqipëri më shumë se një herë gjatë vitit. Prandaj, ata 300–400 persona në shesh mund të kenë qenë edhe krejtësisht rastësorë. Në këtë realitet, kosovarët janë turistë, konsumatorë, investitorë dhe pjesë e një hapësire të përbashkët ekonomike e shoqërore. Për këtë arsye, është absurde që në momente pakënaqësie qytetare, vëmendja të zhvendoset te disa qindra njerëz nga Kosova.
Kjo mënyrë arsyetimi nuk është e panjohur. E kemi parë edhe në vitin 1997, kur krizat e brendshme politike dhe institucionale përpiqeshin të mbuloheshin me narrativa për fajtorë të jashtëm. Edhe atëherë përmendeshin kosovarët, ndërsa shmangej debati i vërtetë mbi shtetin dhe qeverisjen.
As atëherë dhe as sot, problemi nuk është Kosova. Problemi është plotësisht i brendshëm: cilësia e demokracisë, modeli i qeverisjes, raporti i shtetit me qytetarin dhe mungesa e besimit në institucionet publike. Kur një shoqëri del në sheshe në këto përmasa, debati nuk mund të reduktohet te disa dhjetëra apo qindra persona nga jashtë.
Narrativat që synojnë të nxisin përçarje mes shqiptarëve nuk i shërbejnë askujt. Shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë sot kanë komunikim, ndërvarësi dhe ndërveprim më të madh se kurrë më parë. Ky realitet i bën të vjetruara përpjekjet për ndarje artificiale apo për kërkim të fajtorëve të jashtëm.
Në fund, nëse qindra mijëra qytetarë protestojnë, përgjigjja nuk mund të jetë një statistikë e vogël për të devijuar vëmendjen. Përgjigjja duhet të jetë një reflektim serioz mbi arsyet e pakënaqësisë.
Demokracia nuk bëhet më e fortë duke kërkuar fajtorë imagjinarë, por duke dëgjuar qytetarët dhe duke trajtuar shkaqet reale të revoltës së tyre.
