Rritja e numrit të udhëtarëve ka krijuar radhë të gjata në pikat kufitare dhe kolona në autostradat kroate, ka bërë të ditur Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb. Për këtë arsye, qytetarëve u është kërkuar që vonesat t’i përfshijnë në planet e tyre të udhëtimit.
Të lidhura
None found
Në Karasovići, pikë kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, koha e pritjes për të hyrë në Kroaci shkon deri në katër orë, ndërsa në dalje janë krijuar kolona disa kilometra. Rreth katër orë pritet edhe për dalje në pikën kufitare Vitaljina.
Ndërkaq, në Bajakovo, në kufirin Kroaci-Serbi, udhëtarët përballen me pritje që mund të zgjasin deri në tre orë.
Për menaxhimin e kësaj gjendjeje, Ambasada po mban kontakte të vazhdueshme me autoritetet policore përgjegjëse për zonën kufitare përmes atasheut të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sefadin Kuçi. Sipas njoftimit, policia ka konfirmuar se po merr masa për ta lehtësuar qarkullimin dhe për ta administruar situatën.
Bllokimet kanë bërë që kryetari i Komunës së Konavlës të aktivizojë Shtabin e Mbrojtjes Civile, ndërsa banorëve u është kërkuar të mos udhëtojnë me automjete nëse nuk është e nevojshme. Policia po e devijon një pjesë të qarkullimit drejt rrugëve alternative, kurse banorët e zonës po u japin ujë udhëtarëve dhe po ua mundësojnë përdorimin e tualeteve.
Radha të gjata janë regjistruar në pothuajse të gjitha autostradat e Kroacisë dhe problemet në trafik kanë ndikuar edhe në transportin publik. Bashkatdhetarët e nisur nga Stacioni i Autobusëve në Zarë kanë njoftuar për vonesa deri në tri orë.
Ambasada u ka sugjeruar udhëtarëve dhe kompanive transportuese që, para nisjes, të marrin në konsideratë kufizimet e tanishme në qarkullim dhe kohën shtesë të pritjes.
