Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Të lidhura
None found
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe bashkim, ndërsa ka nënvizuar se procedura gjyqësore ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, mbrojtja do ta vijojë përballjen juridike në Gjykatën e Apelit.
Ahmeti ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte një luftë për liri dhe se e kaluara e Kosovës nuk mund të rishkruhet.
Postimi i plotë:
Vendimin e sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit e vlerësoj si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Përballë kësaj situate të rëndë, u bëj thirrje të gjithëve për maturi dhe unitet. Nuk duhet të lejojmë asnjë përpjekje për të nxitur tensione, përçarje apo për të dëmtuar imazhin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
UÇK-ja u krijua si reagim ndaj shtypjes dhe luftoi për çlirimin e Kosovës. Pretendimet për trafikim organesh, të cilat për vite me radhë rënduan mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u kthyen në akuza në këtë proces. Gjithashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit dhe theksoi se synimi i UÇK-së kishte qenë pavarësia e Kosovës, objektiv që u realizua. Këto fakte duhet të mbahen mend sa herë që dikush përpiqet ta portretizojë UÇK-në si një ndërmarrje kriminale.
Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi akuzoheshin për përgjegjësi në një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen gjatë vazhdimit të procesit gjyqësor, njësoj siç nuk u materializuan pretendimet e mëparshme për trafikim organesh.
Kjo çështje nuk mbyllet me vendimin e sotëm. Mbrojtja pritet ta vijojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, ku do të kundërshtojë gjetjet e shkallës së parë dhe do të kërkojë drejtësi deri në fund.
Lufta e UÇK-së ishte një luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vendoset në bankën e të akuzuarve.
Me besim te drejtësia, beteja vazhdon në apel!
