Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i Aleancës, e ka cilësuar votimin e Tanja Vujoviqit, përfaqësuese e Listës Serbe, si nënkryetare të Kuvendit të Kosovës, si dëshmi të “kulmit të hipokrizisë dhe populizmit” nga pushteti.
Të lidhura
None found
Sipas Xhemailit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në votimet e mëparshme kishin kundërshtuar disa kandidatura, në fund mbështetën Vujoviqin.
“Asgjë, bash hiç asgjë nuk e dallon Tanja Vujoviqin nga Sllavko Simiqi. Që të dy janë nën të njëjtën komandë direkte të Beogradit dhe që të dy kanë mision sabotimin e shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Zëdhënësi i Aleancës është shprehur se qëndrimet e Vujoviqit ndaj institucioneve të Kosovës mund të kuptohen nga deklaratat e saj publike.
“Çdokush që kërkon në internet mund t’i gjejë deklaratat skandaloze të Vujoviqit, e cila hapur e quan Kosovën ‘Metohi’, deklaron se punon vetëm për sistemin e Serbisë dhe e krahason situatën në veri me ‘sundimin osman’”, ka shkruar Xhemaili.
Duke e krahasuar atë me Simiqin, Xhemaili ka thënë se ndryshimi mes tyre lidhet vetëm me formën e kundërshtimit të institucioneve të Kosovës.
“Dallimi i vetëm është se Simiqi i ka luftuar institucionet tona brenda Kuvendit, ndërsa Vujoviq, si dekane e strukturave ilegale, i ka luftuar ato fuqishëm edhe nga jashtë, publikisht madje”, ka thënë ai.
Xhemaili e ka akuzuar Vetëvendosjen se përmes votimit të sotëm ka treguar se nuk ka parime apo vija të kuqe politike.
“Ata i rrëzuan emrat e parë vetëm për t’u shitur ‘patriotizëm’ militantëve në rrjete sociale, përpara se të dorëzoheshin për të votuar saktësisht të njëjtën agjendë të Listës Serbe”, ka deklaruar zëdhënësi i Aleancës.
Ai ka rikthyer në fund qëndrimin e Aleancës se zhvillimet në Kuvend përbëjnë një “teatër të koordinuar” mes pushtetit dhe Listës Serbe.
“Aleanca e ka thënë qysh herët, ky teatër i koordinuar mes pushtetit dhe Listës Serbe është një maskaradë e pastër që po e mban peng dinjitetin e Republikës!”, ka përfunduar Xhemaili.
