Alarm për bombë në Kuvendin e Kosovës, reagon Prokuroria Themelore e Prishtinës: Pas kësaj fshihen vendet “jo mike”

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me kërcënimin për bombë të mbërritur ditën e sotme në zyrat e Kuvendit të Kosovës.

Zejnullah Gashi, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se pas kontrolleve në ambient, ka rezultuar se kërcënimi ka qenë i rremë. Ndërkohë ai ka bërë me dije se tashmë hetimet do të vijojnë për të zbuluar burimin e kërcënimit, teksa sqaron se ka qenë një telefonatë e kryer nga një mashkull në gjuhën angleze që ka dhënë alarmin në vend.

Gashi tregon se dyshimet janë të përqëndruara në vendet “jo mike” të Kosovës si përgjegjëse për alarmin për bombë të dhënë sot në Kuvendin e Kosovës.

“Të gjitha njësitë policore kanë dalur në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vendin e ngjarjes janë edhe njësitë përkatëse të K9 dhe për deminim, të cilët kanë bërë punën dhe ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rremë.

Patjetër se hetimet do të vazhdojmë sa i përketë prejardhjes së kërcënimit apo më mirë të themi thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, në gjuhën angleze me një aksent që ne menojmë që është i shteteve jo mike, për momentin janë të gjithë këto informacione”, ka deklaruar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.


Shtuar 5.07.2025 16:55