Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh ushtruesit të detyrës së sekretarit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Bytyqi është arrestuar të martën pasi Policia ka zhvilluar bastisje në objektin e Ministrisë dhe në shtëpinë e tij.
Për këtë rast është vënë në kërkim Naser Hafizi, ushtrues detyre i drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore. Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar dokumente, por edhe armë e municion.