Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur më 25 gusht 2026 aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Të lidhura
None found
Sipas aktakuzës, Sheholli ka vepruar në bazë të një plani operativ të hartuar nga një zyrtar i Shërbimit Informativ të Serbisë, BIA, të cilit dyshohet se i ka përcjellë informacione dhe dokumente mbi zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve në Kosovë.
Prokuroria pretendon se qëllimi i këtyre veprimeve ishte dëmtimi i interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të zhvilluar më 12 tetor 2025. Përveç kësaj, Sheholli akuzohet se, edhe gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim, ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke i shkaktuar dëm financiar mbi 13 mijë euro dhe duke e kërcënuar me publikimin në media të videove dhe informacioneve që, sipas pretendimit, do t’i cenonin reputacionin dhe autoritetin.
Aktakuza, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, përshkruan se nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në territorin e Kosovës, Sheholli ka vepruar vazhdimisht dhe me dashje të drejtpërdrejtë si person i rekrutuar nga BIA-ja.
Në këtë dokument thuhet se ai ka zbatuar urdhrat dhe detyrat e Bojan Dimiçit, zyrtar i lartë i BIA-s. Sipas aktakuzës, Dimiçi mban pozitën e drejtorit në Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Prokuroria pretendon se Sheholli ka mbledhur dhe siguruar të dhëna, të cilat më pas ia ka dërguar zyrtarit serb përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike. Informacionet dhe dokumentet kishin të bënin me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, plani operativ i përgatitur nga zyrtari i BIA-s është zbatuar nga Sheholli me synim dëmtimin e interesave shtetërore të Kosovës dhe ndikimin në zgjedhjet e 12 tetorit 2025.
Një nga episodet e përshkruara në aktakuzë ka ndodhur më 29 shtator 2025, rreth orës 14:00. Sheholli, i shoqëruar nga një familjar, dyshohet se ka udhëtuar me një automjet “AUDI” drejt Mitrovicës së Veriut.
Atje, në parkingun e Shkollës Teknike, pranë një kafeneje, ai dyshohet se ka marrë nga një person i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte bisedash.
Materialet, sipas Prokurorisë, përmbanin regjistrime dhe transkriptime të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitetet dhe Kthim në Republikën e Kosovës. Ato dyshohet se ishin përgatitur me qëllim komprometimin e këtyre zyrtarëve. Për këtë shërbim, Sheholli thuhet se ka marrë 5 mijë euro.
Në vijim të planit të përcaktuar nga zyrtari i BIA-s, Sheholli ia ka dorëzuar materialet gazetarit Milaim Zeka. Bashkë me to, ai dyshohet se i ka dhënë Zekës edhe 1 mijë euro dhe e ka udhëzuar për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e gazetarit, disa ditë para votimit për zgjedhjet lokale.
Prokuroria vlerëson se këto veprime kanë dëmtuar rëndë interesat e shtetit, kanë diskredituar institucionet dhe zyrtarët e tyre, kanë thelluar përçarjet shoqërore dhe kanë krijuar mundësinë që një shërbim i huaj informativ të ndërhynte drejtpërdrejt në një proces zgjedhor në Kosovë.
Për këtë pjesë të akuzës, Fatmir Sheholli ngarkohet me veprën penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pika e dytë e aktakuzës lidhet me pretendimet për shantazh. Sipas Prokurorisë, nga viti 2022 deri në dhjetor 2025, përfshirë edhe periudhën kur ndodhej në paraburgim, Sheholli ka synuar të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme pasuri duke shantazhuar A.J., pronar i një biznesi në Republikën e Kosovës.
Aktakuza thotë se i pandehuri e ka detyruar të dëmtuarin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në një vlerë që kalon 13 mijë euro. Paratë dyshohet se janë kërkuar në emër të huazimit, ndërsa ndaj A.J. është përdorur kërcënimi se, në rast të mosdhënies së shumës, në media do të publikoheshin video-incizime dhe të dhëna që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin.
Sipas aktakuzës, masat e fshehta hetimore kanë dokumentuar se, edhe gjatë paraburgimit të Shehollit, porositë kërcënuese janë përcjellë përmes një familjari të tij. Në këto porosi kërkohej pagesa mujore prej 700 euro, me paralajmërimin se në të kundërtën do të publikoheshin videoincizimet.
I dëmtuari, thuhet në aktakuzë, i ka dorëzuar familjarit të Shehollit, përmes një punëtori të tij, shumën prej 500 eurosh, pasi kishte vepruar nën ndikimin e frikës.
Për këto veprime, Sheholli akuzohet edhe për veprën penale “Shantazhi”, të përcaktuar në nenin 329, paragrafi 2, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Lidhur me përmendjen e tij në aktakuzë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar gazetarin Milaim Zeka. Ky i fundit ka deklaruar se po dëgjon për herë të parë për këto pretendime.
“Fatmiri materiale ju ka dhanë edhe gazetarëve të tjerë. Paratë prej 1 mijë euro janë dhënë për përkthim të materialeve dhe se na ka thanë se janë të Gizzit gjerman”, deklaroi Zeka.
Pas dërgimit të aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet caktimi i seancës fillestare.
Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj Shehollit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor. Po ashtu, ka propozuar që sendet dhe pasuria e sekuestruar, përfshirë 3 mijë e 185 euro, të konfiskohen pas përfundimit të gjykimit, në përputhje me urdhrin ndalues përfundimtar të gjykatës.
Si i dëmtuar dhe dëshmitar është propozuar të thirret Nenad Rashiq, ndërsa Milaim Zeka është propozuar në cilësinë e dëshmitarit.
Për provat që lidhen me akuzën për spiunazh, Prokuroria ka përfshirë në aktakuzë edhe të dhëna mbi të kaluarën e Shehollit. Aty thuhet se gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe para tij, ai ka qenë pjesë e strukturave të atëhershme të sigurimit jugosllav.
Po në aktakuzë përmendet edhe veprimtaria e tij mediale në Radio Televizionin e Prishtinës, i administruar nga regjimi i dhunshëm serb, dhe më pas në televizionin “AS TV”. Sipas Prokurorisë, në këto media ai ka realizuar materiale dhe intervista që përputheshin me narrativën zyrtare të autoriteteve serbe dhe dëmtonin interesat e popullsisë shqiptare në Kosovë.
Dokumenti citon edhe një intervistë të dhënë nga Sheholli në vitin 1999 për gazetën ndërkombëtare “Los Angeles Times”, ku ai kishte deklaruar se “forcat serbe nuk po kryenin gjenocid në Kosovë, por vetëm krime individuale”.
Gjithashtu, Prokuroria thotë se ekzistojnë intervista dhe paraqitje publike të tij nga Beogradi, në të cilat ai kishte kritikuar UÇK-në, NATO-në dhe politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Në këto paraqitje, sipas aktakuzës, Sheholli kishte pretenduar se UÇK-ja ishte krijuar dhe mbështetur nga shërbimet amerikane.
Një tjetër grup provash i bashkëngjitur aktakuzës lidhet me paraqitjet publike të Shehollit në mediat vendore dhe rajonale pas përfundimit të luftës. Prokuroria pretendon se në një numër të konsiderueshëm rastesh ai ka mbështetur qëndrime në favor të “Listës Serbe” dhe eksponentëve të saj politikë, ndërsa ka sulmuar kundërshtarët politikë të kësaj partie, duke i akuzuar se janë kundër interesave të serbëve në Kosovë.
