Categories: kosovë

Agim Aliçkaj nga SHBA paralajmëron: Ngecja mund të rikthehet te votimi për Presidentin

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë vulosur Lëvizjen Vetëvendosje si forcën fituese. Pas certifikimit të tyre, pritet të nisë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe krijimi i qeverisë së re të Kosovës, me Albin Kurtin në krye të ekzekutivit.

Në një deklaratë për “Bota sot”, veprimtari shqiptar në SHBA, Agim Aliçkaj, u shpreh se votimi i 7 qershorit e ka konfirmuar për herë të tretë radhazi fituesin dhe legjitimitetin e qeverisjes së LVV-së bashkë me partnerët e saj.

Të lidhura

None found

Sipas tij, opozita doli humbëse dhe mori më pak vota sesa koalicioni fitues, ndërsa çdo tentativë për të ardhur në pushtet me ndihmën e Listës Serbe do të ishte, në vlerësimin e tij, e dëmshme për interesat shtetërore.

“Zgjedhjet e panevojshme të 7 qershorit, të shkaktuara nga opozita e Kosovës, u zhvilluan me sukses. Rezultatet zgjedhore e konfirmuan për të tretën herë me radhë vullnetin e popullit të Kosovës që Kryeministri Albin Kurti dhe koalicioni i tij LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK të udhëheqin Kosovën edhe për një mandat të plotë. Ata janë fituesit e vërtetë dhe nuk ka tjetër.

Humbësit e vërtetë janë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, të cilat së bashku kanë më pak vota se LVV-ja me koalicionin e saj. U shuan edhe shpresat e disa politikanëve të lajthitur të opozitës për ta marrë pushtetin me ndihmën e organizatës armiqësore Lista Srpska. Populli u bëri favor, sepse një gjë e tillë do të ishte tradhti ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare”, ka thënë ai.

Aliçkaj ka vlerësuar më tej se ngritja e institucioneve të reja mund të zhvillohet pa vështirësi, por ka ngritur shqetësimin se pengesa mund të shfaqet sërish te procesi i zgjedhjes së Presidentit.

“Bazuar në numrin e deputetëve, pritet që konstituimi i Parlamentit dhe i Qeverisë të realizohet pa problem nga fituesi i zgjedhjeve, së bashku me minoritetet, përveç Listës Serbe. Megjithatë, çështja mund të ngecë përsëri te zgjedhja e Presidentit, për të cilin, bazuar në një vendim të gabuar të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet që edhe në raundin e tretë të votimit të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë. Kjo krijon mundësinë e një bllokimi të pafund të shtetit nga humbësit e zgjedhjeve.

Kryeministri Kurti deklaroi pas zgjedhjeve se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë opozitare, gjë që është një fillim i mirë. Duke qenë se, si fitues, ndodhet në një pozitë më të favorshme se të tjerët, do të ishte mirë që ai të ndërmarrë edhe hapa shtesë për afrimin me opozitën në interes të shtetit, sidomos për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Edhe pse ai është viktima kryesore e sulmeve të ulëta politike, një kërkesë publike nga ana e tij, drejtuar të gjithëve për ndalimin e retorikës nënçmuese, shpifjeve, linçimeve dhe ofendimeve ndaj kundërshtarëve politikë, do t’ia shtonte edhe më shumë autoritetin në popull”, ka theksuar ai.

Sipas Aliçkajt, mesazhi kryesor që opozita duhet të marrë nga këto zgjedhje është se vullneti i qytetarëve duhet respektuar, ndërsa çdo bllokadë që ai e cilëson si të dëmshme do të marrë ndëshkim nga vota e popullit.

“Mësimi kryesor nga këto zgjedhje për opozitën ishte i qartë, nëse ajo ka veshë për të dëgjuar, sy për të parë dhe mendje për të kuptuar: mos luani me vullnetin e popullit, sepse populli ju ndëshkon. Nëse vazhdoni me bllokada të dëmshme dhe të pakuptimta, kurrë nuk do ta merrni pushtetin nga populli.

Mjerisht, deklaratat e disa përfaqësuesve të partive humbëse pas zgjedhjeve nuk janë shumë inkurajuese. Ato janë të përqendruara në fajësimin e të tjerëve për humbjen e merituar. Pretendimet se populli shumicë dhe mërgata shembullore e Kosovës janë të paedukuar dhe të mashtruar, duke u bërë kështu fajtorë për humbjen e tyre, janë të gabuara, të padrejta dhe të mjera. Në realitet, ata po mashtrojnë vetveten.

Ata duhet ta kuptojnë më në fund se vetëm populli i Kosovës mund të vendosë për fatin e tyre politik. Shpresat e tyre se për ta mundur Kurtin do t’i ndihmonin ish-ambasadori endacak amerikan, lobisti serb Grenell, kryeministri në largim i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish-presidentja e disorientuar Vjosa Osmani, dolën të kota”, ka shtuar ai.

Veprimtari nga SHBA ka kundërshtuar edhe narrativat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin kryeministrin Kurti si problematik në raport me ndërkombëtarët dhe çështjet strategjike, duke i quajtur ato të pabazuara.

Ai është ndalur edhe te çështja e Presidentit, duke theksuar se zgjedhja e tij duhet të shihet si përgjegjësi e përbashkët e subjekteve politike dhe jo si instrument për bllokim institucional.

“Tentimet e tyre për ta portretizuar Kurtin si anti-amerikan janë po ashtu të kota dhe pa kurrfarë baze. Paraqitja e pranimit të investimit në “gazin amerikan” si kusht për zgjedhjen e Presidentit është një përpjekje e mjerë për ta arsyetuar vazhdimin e bllokadave. Investimet duhet të bazohen në interes ekonomik dhe jo në dashurinë për Amerikën.

Gjetja e një kandidati të përshtatshëm për President të Kosovës është detyrë e të gjitha partive politike dhe nuk guxon të përdoret më për bllokimin e funksionimit të shtetit nga askush. Kosovës i duhet një President unifikues, që nuk i takon asnjë partie, i aftë, i edukuar dhe përfaqësues dinjitoz në nivelet ndërkombëtare. Propozimi i tre kandidatëve nga opozita dhe votimi i njërit prej tyre nga shumica parlamentare paraqet një kompromis real”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Aliçkaj i ka bërë thirrje opozitës që të heqë dorë nga qasja bllokuese dhe të marrë një rol më konstruktiv në jetën politike të vendit.

“Është koha e fundit që opozita të largohet nga bllokadat, të bëhet opozitë konstruktive dhe ta lejojë fituesin të udhëheqë me shtetin. Pastaj të përgatitet për zgjedhjet e rregullta duke ofruar propozime konkrete për zhvillimin e shtetit, të deklarohet kundër korrupsionit të vet nga e kaluara, kundër asociacionit serb dhe kërkesave për ndarjen e Kosovës, kundër Listës Serbe si organizatë terroriste, të kërkojë dënimin e kriminelëve serbë dhe të pushojë me servilizmin ndaj të huajve.

Nëse duan ta fitojnë votën e popullit për pushtet, duhet ta bindin popullin e Kosovës se kanë ndryshuar dhe se janë bërë më të mirë se Kryeministri Kurti. Nuk ka rrugë tjetër. Nëse vazhdojnë me bllokada dhe bojkote, do të përfundojnë në murin e turpit të historisë së Kosovës. Populli i mençur dhe i ndritur i Kosovës nuk frikësohet dhe nuk mund të mashtrohet”, ka përfunduar Aliçkaj për “Bota sot”.

të fundit

Dega e LDK-së në Rahovec i shtohet valës së kërkesave për shkarkimin e Abdixhikut

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e partisë pas…

49 seconds ago

Bardhi i përgjigjet ashpër Manjës: S’kemi paditur Kanye West, por Ramën, ja dyshimet për lidhjen me Paulin Rajtën dhe HEC-in në Dibër

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të Ulsi Manjës, duke e akuzuar se…

10 minutes ago

Burgu i Shënkollit në kushte poshtëruese, Avokati i Popullit: Ky vend duhet të ishte spital, jo burg me dy psikiatër

Avokati i Popullit po zhvillon këtë të hënë dhe nesër një inspektim të paparalajmëruar në burgun e Shënkollit, në kuadër…

14 minutes ago

Përleshje me të shtëna në New England, mbetet i vrarë një person. Në ngjarje të përfshirë agjentë të ICE

Një incident me armë zjarri në Biddeford, New England, ku ishin të përfshirë agjentë të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe…

16 minutes ago

Një burrë 56-vjeçar nga Shkupi ndërron jetë pas rrëzimit nga tarraca e një banese

Ministria e Brendshme informon se dje në mëngjes rreth orës 06:45, SPB Shkup ka marrë një njoftim nga Kompleksi i…

19 minutes ago

PD vendosi të bojkotojë seancën plenare në Kuvend, Ervin Salianji shpërthen ndaj Sali Berishës: Po i vjen në ndihmë Edi Ramës

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar pasi Partia Demokratike këtë të hënë vendosi që të mos marrë pjesë në seancën…

20 minutes ago