Ministri Armend Muja ka njoftuar marrjen e masave të përkohshme parandaluese dhe forcimin e kontrolleve për aflatoksinën, me synim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Përmes një postimi në Facebook, Muja bëri të ditur se vendimi erdhi pas konfirmimit të tejkalimit të kufirit maksimal të lejuar të Aflatoksinës B1 (AFB1) në koncentratin për lopë qumështore “SELECT MILK GR”, të prodhuar nga DE HEUS D.O.O. në Republikën e Serbisë.
Të lidhura
None found
Ministri ka urdhëruar tërheqjen e këtij produkti nga qarkullimi, izolimin e sasive të mbetura dhe gjurmimin e mënyrës së shpërndarjes së tij.
Njëkohësisht, është vendosur një masë parandaluese e përkohshme, në fuqi për 30 ditë, për ndalimin e importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça. Masa zbatohet për produktet me kod tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Republikën e Serbisë.
Gjatë kësaj periudhe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) duhet të përgatisë një vlerësim të dokumentuar të rrezikut. Në bazë të këtij vlerësimi do të përcaktohen veprimet e mëtejshme.
Gjithashtu, janë urdhëruar kontrolle të shtuara për praninë e Aflatoksinës B1 (AFB1) në misër dhe në produktet me bazë misri që përdoren për ushqimin e kafshëve. Në fazën fillestare do të kryhen kontrolle të intensifikuara, marrje mostrash dhe analiza laboratorike, në përputhje me masat e përcaktuara në vendim.
Masat e ndërmarra kanë karakter të përkohshëm dhe parandalues, ndërsa rishikimi i tyre do të bëhet në bazë të rezultateve laboratorike dhe vlerësimit të rrezikut.
Sipas njoftimit të ministrit, synimi është që rreziku të identifikohet në burim, të parandalohet hyrja e produkteve jokonforme në zinxhirin ushqimor dhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve.
Muja theksoi se siguria ushqimore kërkon kontrolle të vazhdueshme dhe reagim të mbështetur në prova. Ai shtoi se, kur rezultatet laboratorike tregojnë praninë e një rreziku, institucionet duhet të veprojnë në kohë dhe në përputhje me ligjin.
