Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi pas aktgjykimit të dhënë sot në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai kujtoi krimet e kryera gjatë luftës nga regjimi i Serbisë, duke thënë se Kosova u përball me terror dhe spastrim etnik. Sipas Abdixhikut, civilë të pafajshëm u vranë dhe mijëra familje u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në këto rrethana, theksoi ai, populli i Kosovës luftoi për mbijetesë dhe liri.
“Djemtë e vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbrojtën pragun e shtëpisë. UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë; dje, sot e përjetësisht”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së u shpreh se vendimi i sotëm, ashtu si çdo aktgjykim tjetër, nuk mund ta përmbysë atë që ai e konsideron të vërtetën historike të luftës në Kosovë.
“Asnjë aktgjykim, as ky i sotmi, nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku u bëri thirrje të gjitha forcave politike që të lënë pas ndasitë dhe të bashkohen përballë periudhës së vështirë që po kalon Kosova.
“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën”, ka shkruar ai.
Ai kërkoi gjithashtu mbrojtjen e unitetit qytetar dhe forcimin e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, e kanë mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë”, përfundon reagimi i Abdixhikut.
