Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka njoftuar se janë dorëzuar 148 nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.
Ai ka bërë të ditur se data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit do të shpallen pasi të përfundojë verifikimi i plotë i nënshkrimeve.
Të lidhura
None found
“Pas verifikimit të plotë të nënshkrimeve, do të bëhen të ditura data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit. LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet shtyllë e fuqisë së saj. Prandaj, nuk duhet t’i shmangemi asnjë procesi demokratik. Ne nuk do t’ia heqim askujt të drejtën e votës dhe nuk do të mbajmë asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ndërkohë, kreu i LDK-së ka njoftuar se bisedimet për formimin e Qeverisë janë pezulluar. Sipas tij, zhvillimet e fundit dhe përfshirja në proceset e brendshme të partisë e pamundësojnë vazhdimin e negociatave në këtë fazë.
“Në këtë pikë, më duhet po ashtu t’i njoftoj qytetarët e vendit tonë se, për shkak të kësaj nisme, jemi detyruar t’i ndërpresim angazhimet dhe takimet institucionale të javëve të fundit për krijimin e qeverisë, të cilat qytetarët me të drejtë i kanë pritur prej kohësh. Në këto rrethana, për shkak të kësaj nisme, nuk do të ishte as serioze dhe as e përshtatshme të vazhdonin negociatat për krijimin e qeverisë, ndërkohë që mandati im aktual dhe ai i përfaqësuesve të LDK-së është vënë në diskutim”, ka thënë ai.
