Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur para mediave pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Gjatë fjalës së tij, Kurti tha se duhet marrëveshje me partitë opozitare, ndërsa konfirmoi se mbrëmë ka qëndruar në Prekaz, te familja Jashari dhe kur është pyetur për Presidenten Osmani.
Në përgjigje, Kurti tha se VV nuk ka kandiduar me një emër për President dhe se ai nuk i ka numrat për Presidentin. Ai theksoi se Vetëvendosje me partnerët mund të sigurojë vetëm 66 vota, një shifër që mbetet larg 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para.
Ai shtoi se edhe dy subjektet e tjera të mëdha kanë deklaruar se nuk i kanë as 30 vota për nënshkrime, duke lënë të hapur nevojën për marrëveshje më të gjerë politike nëse do të ketë një emër që kalon pragun kushtetues.
“U zotuam për komunikim dhe kontakte të drejtpërdrejta, që të hapim një kapitull të ri ndërmjet partive politike. E falënderova për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Tash na duhen dy të tretat për zgjedhjen e Presidentit. Ne si Vetëvendosje nuk kemi garuar me një kandidat për President gjatë zgjedhjeve. Poashtu as partitë opozitare.
Duhet ta gjejmë një zgjidhje, e cila është ndërmjet këto tri forcave politike. Po isha mbrëmë në Prekaz. E kishim lënë të takoheshim me bacin Rifat. Por, për President, nuk kemi ndonjë favorizim, sepse mua më mungojnë edhe të paktën 14 vota. Nuk kam përafrim më shumë me LDK-në ose me PDK-në. Po flas për fakte objektive. Nëse ka marrëveshje me LDK-në, shkojmë te numri 81, ku nuk duhet të mungojë asnjë deputetë në sallë”, tha ai.
