SHIFRAT E FRIKSHME, Hoxha: 75-80 raste të reja në vit me kancer të qafës së mitrës, kontrolli i hershëm shpëton jetë

Në Ditën Botërore të Kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpërndau sot një mesazh ndërgjegjësimi për të gjithë gratë dhe vajzat.

MShMS nënvizon se ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë çelësi për një jetë më të shëndetshme.

“Çdo kontroll, çdo informacion i duhur dhe çdo hap drejt kujdesit të rregullt mund të bëjë ndryshimin. Parandalimi është forma më e mirë e trajtimit”, thuhet në mesazhin e MShMS.

Doktori i shkencave mjekësore, Euglent Hoxha, gjinekolog pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shprehet se kanceri i qafës së mitrës, është lloji më i shpeshtë, për sa i përket kancereve gjinekologjikë.

“Për një periudhë disa vjeçare, numri ka qenë 75-80 raste të reja në vit, dhe ky numër është pothuajse konstant gjatë këtyre viteve. Kanceri i qafës së mitrës ka një specifikë që sa më herët të zbulohet, aq më të mëdha janë mundësitë e kurimit dhe trajtimit”, tha Hoxha.

Sipas mjekut, ndër faktorët e riskut që favorizojnë këtë lloj kanceri është infeksioni HPV.

“Kanceri i qafës së mitrës është një lloj sëmundjeje që nëse bëhet vaksinimi dhe kontrolli i duhur mund të eliminohet 100%. Vaksinimi është një e mirë e domosdoshme dhe ja rekomandoj të gjithë prindërve që t’jua bëjnë vaksinën HPV si te vajzat dhe djemtë e moshës 13 vjeç”, vijoi ai.

Mjeku gjinekolog në QSUNT, u shpreh se kontrolli duhet të bëhet nga të gjithë gratë dhe vajzat që janë seksualisht aktive.

“Pas kontrollit, nëse rezultati i testit HPV del negativ, kontrolli bëhet njëherë në 3 apo 5 vjet dhe IShP ka një protokoll të caktuar për këtë”, përfundoi Hoxha.


Shtuar 4.02.2026 21:28