Çifti padit fqinjin, vendosi manekin në dritare për t’i përgjuar në dhomën e gjumit (FOTO LAJM)

Një çift në Britani ka paditur fqinjin e tyre pasi kishte vendosur një manekin në dritaren e papafingos së tij që “shikonte” nga dhoma e tyre e gjumit.

Stilistja Rosie Taylor-Davies dhe bashkëshorti Christopher, thanë se detyroheshin të ndërroheshin prapa një rafti librash dhe të qëndronin në errësirë ose me perdet e mbyllura, pasi fqinji i tyre Simon Cook, hapi një dritare që shihte nga dhoma e tyre e gjumit.

Ata thanë në gjykatë se dritarja nuk ishte bërë me xham akulli siç parashikohej nga bashkia, por për më tepër fqinji i tyre dashakeq vendosi aty një manekin ‘bionde’ që dukej sikur përgjonte gjithë kohës nga shtëpia e tyre.

Gjykatësja tha se Cook nuk i kishte marrë seriozisht shqetësimet e fqinjëve të tij për privatësinë. Megjithatë, ajo tha se fqinji nuk ka shkelur rregullat ndërtimore të planifikimit.

Ndërsa sipas avokatit të çitit vendosja e një manekini “shërben për të dhënë përshtypjen se një person mbikqyr gjithë kohës shtëpinë e tyre duke u shkelur privatësinë. Kjo shton shumë stresin e personave që banojnë aty”.

Çifti tha se po merrnin në konsideratë të zhvendoseshin nga shtëpia ku kanë jetuar për më shumë se 20 vjet.


Shtuar 5.03.2022 14:12