Pas më shumë se dy dekadash pjesëmarrje në tapetin më të famshëm të modës, Naomi Campbell nuk do të jetë pjesë e Met Gala këtë vit. Supermodelja 54-vjeçare duket se është përjashtuar nga lista e të ftuarve, dhe shkaku mendohet të jetë një incident me Anna Wintour, figurën më të fuqishme të industrisë.
Gjithçka nisi shtatorin e kaluar, gjatë eventit “Harlem’s Fashion Row” në New York Fashion Week, ku Naomi mbërriti me vonesë, ndërsa Anna – e njohur për disiplinën e hekurt – nuk e priti dot më gjatë dhe u largua. Komenti ironik i saj para audiencës: “Jam shumë e përpiktë dhe kam nderin të prezantoj dikë që shpesh vonohet”, duket se nuk u prit mirë nga Campbell.
Por përgjigjja e Naomit në skenë ndezi më tej tensionet. “Nuk ishte zgjedhja ime të kisha zonjën tjetër, do të preferoja shumë më tepër këtë,” tha ajo, duke iu referuar mungesës së Annës dhe zëvendësimit me redaktoren e Harper’s Bazaar, Samira Nasr. Burime për The Sun thanë se pas kësaj deklarate, përjashtimi i saj nga Met Gala ishte i pashmangshëm: “Nuk e thumbon Annën dhe pret të ecësh në tapetin e saj”
Vetë Naomi, në një video të fundit në YouTube, e pranoi se nuk do të jetë pjesë e eventit këtë vit, por zgjodhi të jetë e rezervuar në fjalët e saj: “Është e fundit për mua. Jam shumë e vjetër. Ankthi është shumë për mua. Nuk e di se çfarë numri është ky – 20 apo 21? A mund ta imagjinoni?”
Në vend të tapetit të kuq, supermodelja po shijon një arratisje në Maldive me dy fëmijët e saj.