Berisha i bën thirrje diasporës: Vota juaj është një potencial shumë i madh për të shpëtuar vendin nga diktatura

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me demokratët e Miçiganit, kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se, vota e shqiptarëve të diasporës është një potencial shumë i madh për të shpëtuar vendin nga diktatura.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME SHQIPTARËT NË MIÇIGAN

Përshëndetjet e mia më vëllazërore për secilin që jeni sot në atë sallë, mirënjohje të pakufishme për praninë tuaj.

Përshëndetje të përzemërta zoti Nik Gjonaj, imzot Prek Kalaj, zotit Eduart Alikaj.

Përshëndetje të përzemërta Belind dhe të gjithë të pranishmëve.

Jam i emocionuar nga ky takim në distancë me ju përfaqësuesit e diasporës dhe emigracionit shqiptar në Miçigan.

Në Miçigan kam zhvilluar një nga takimet më të para në muajt e parë të karrierës time politike dhe kam gjetur aty mbështetjen më të fuqishme për PD-në në betejën e përmbysjes së diktaturës komuniste.

Ruaj me shumë mirënjohje pritjet, takimet që ishin për ne një mbështetje e madhe.

Por emigracioni dhe diaspora e Miçiganit kanë luajtur një rol thelbësor dhe në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shumë herë e kam pyetur veten, si ka mundësi, pse diaspora shqiptare krahasuar me të tjerat, numerikisht më e vogël, krahasuar me pasuritë e të tjerave, më pak e pasur, por arrin të luajë një rol më të madh në historinë e vendit se sa diaspora e shumë e shumë vendeve të tjera.

Se si ajo arrin të paraqitet dhe të dalë në ballë të përpjekjeve të kombit për lirinë dhe dinjitet kombëtar.

Përgjigjja është vetëm një, është atdhetaria, është shqiptarizmi, është patriotizmi i shqiptarëve në Miçigan dhe SHBA që i bën ata një nga diasporat më të fuqishme në çështjen shqiptare dhe çështjet e kombit të tyre.

Të dashur miq, ne bisedojmë sonte në një situatë shumë të veçantë.

Në një situatë kur në Shqipëri është vendosur ajo që Samuel Hantington e ka quajtur formën më të keqe të të gjitha diktaturave, mobokracia.

Kur 20 vite më parë lexoja Hantingtonin, një studiues i madh, por u befasova me vlerësimin e tij.

Ai e quante mobokracinë një dikaturë më të keqe se nazistën, se komunisten, se teokratiken.

Në Shqipëri u instalua mobokracia nga Edi Rama për dy arsye.

E para, ai ka një trashëgimi të bllokut komunist, me të cilin frika e qytetarëve përbën mjetin kryesor të sundimit.

Së dyti, ai kanabizoi Shqipërinë me një politikë zyrtare pothuajse, Edi Rama mbolli nga thellësitë e Alpeve të veriut në kufi me Plavën, gjer në Pogon me mijëra e mijëra plantacione kanabisi.

Dhe në këtë mënyrë, ai ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Por, kjo për qytetarët është diktaturë e krimit, drogës, e cila vendos në kutitë e votimit, vendos në parlament, vendos në qeveri, vendos në rrugë, vendos në pritë, vendos kudo.

Edi Rama hapi apo vendosi vendin tërësisht në sundimin e bandave më të rrezikshme.

Unë dua t’u jap shkurtimisht dy-tre të dhëna.

Sot në Tiranë keni konstatuar se ndërtohen si kërpudha kulla 30, 40, 50 katëshe.

Deri tani, investimi i tyre i kalon 4 miliardë euro. Nga këto, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat. Të gjitha janë para droge, para të nëndheshme. Ka 56 mijë apartamente bosh. Çmimet janë më të tretat më të lartat pas Mynihut dhe Parisit.

Një njeri për të blerë një apartament, duhet të punojë 104 vite.

Shqiptarët kanë ikur, të dashur miq. Kurrë në histori në asnjë pushtim të cilitdo lloji qoftë, nuk ka ndodhur që nga viti 2014 gjer në vitin 2022, të braktisin Shqipërinë 34 përqind e shqiptarëve.

Shqipëria po zbrazet me Shqipëri, kombi po shkretohet.

Proceset elektorale, zgjedhjet, vdesin para se vota të hyjë në kuti.

Një makineri gjigante e blerjes së votës e bën procesin zgjedhor një farsë të vërtetë.

Shumë herë kam pyetur veten pse Hantington shkruan se mobokracitë janë forma më e egër? Ai thotë se ato nuk ndjekin asnjë rregull.

Por unë konsideroj mjerisht se ata kanë mbështetje jo të vogël ndërkombëtare.

Kanë mbështetje që e tejkalon imagjinatën tonë.

Ajo që keni dëgjuar me McGonigalin, ajo u garantoj ju se është maja e ajsbergut e fuqisë korruptive të narkoshtetit shqiptar.

Në këtë kontekst, Shqipëria kaloi këto vite, 3-4 vite, t’u them haptas, një grusht shteti.

Grushtet e shtetit për një vend nuk janë vetëm përmbytjet e qeverisë.

Jo, grushtet e shtetit ndodhin edhe kur synohet të përmbytet opozita.

Pse kjo? Se çdo vend ka sovranitet të brendshëm dhe të jashtëm. Në diktatura nuk ka sovranitet të brendshëm.

Pa opozitë, nuk ka sovranitet të brendshëm dhe ajo që ndodhi me lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros, kishte vetëm një qëllim, shndërrimin e opozitës shqiptare në një fasadë të Edi Ramës.

Me sakrifica, me përpjekje dhe ne jemi shqiptarë, ua them unë këtu një gjë ju, kur Sekretari i Shtetit më shpalli non-grata tetë vite pasi isha larguar nga çdo funksion, por vetëm mbroja interesin kombëtar të Kosovës, mbroja interesin publik në Shqipëri si detyrim madhor që ndjeja, unë pothuajse isha në prag të largimit tim nga politika.

Por vendimi i lobuar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, kishte vetëm një synim, asgjësimin e opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri.

Natyrisht ishte vendim i gabuar.

I gabuar sepse ne jemi shqiptarë, ne kemi një shprehje: Zoti më ruajtë nga miqtë, se nga armiqtë ruhem vetë.

U detyruam të gjithë si demokratë të bëjmë përpjekje të mëdha për të pasur opozitë Shqipëria.

Dhe sot Shqipëria ka opozitë, në kushtet më të vështira.

Pasi u gjetëm para të papriturës, menduan se e arkivuan Sali Berishën dhe e damkosën me turp, ai u rikthye falë mbështetjes së shqiptarëve.

Dhe ky ishte një dështim i madh në atë përpjekje që u bë.

Pas kësaj, hapën dosje dhe kujtuan se do blinin heshtjen time, po heshtja ime nuk mund të blihet.

Siç e dini, katër vite hetimi, në fund përfunduan tek pagesat që vajza ime ka bërë për mua, pagesa familjare apo bamirësitë e tyre ndaj fëmijëve autikë.

U ndala në këtë histori për të treguar se si u ndihmua instalimi i mobokracisë në Shqipëri.

Mirëpo, në çdo rrethanë, njeriu kurrë në qoftë se beson një kauzë të drejtë, nuk duhet ët dorëzohet.

Dhe ne u garantoj ju, nuk dorëzohemi, por ne do bëjmë një betejë me të gjithë forcën tonë që Shqipërinë ta kthejmë përsëri në rrugën e Zotit, në rrugën e shpresës, në rrugën e zhvillimit.

Në këtë kontekst, sot, ndoshta më shumë se asnjëherë, Shqipëria ka nevojë për mbështetjen tuaj, për ndihmën tuaj, për angazhimin tuaj.

Kjo është diktaturë jo e lehtë. Unë u dhashë vetëm një shembull, por mund t’u jap shumë të tjera.

Dhe unë kam besim të plotë se kjo ndihmë, kjo mbështetje nuk do mungojë.

Jemi përpjekur për vite që diaspora të votojë. Kjo është e drejtë kushtetuese e juaja.

Mohimi i votës suaj ishte reminishencë e politikës hoxhiste ndaj diasporës dhe emigracionit.

Më në fund u arrit dhe këtë e konsideruam një zhvillim shumë të madh dhe kërkoj ndjesë para jush se u arrit me vonesë.

Por, kjo arritje, të dashur miq, është një potencial shumë i madh i juaji për të kontribuar në shpëtimin e vendit nga kjo diktaturë me votën tuaj.

Ndaj dhe ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme.

Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj.

Por meqë jam këtu tek roli juaj, mundësia juaj është shumë e madhe përsëri.

Të rrisni ndjeshmërinë tek ligjvënësit tuaj, të cilët historikisht kanë mbështetur shqiptarët në rrugën e tyre të lirisë për situatën dramatike dhe për ndikimin armiqësor, antidemokratik, antishqiptar të superspekulantit të planetit, Xhorxh Soros.

Unë dua t’u informoj ju se të gjitha projektet nga viti 2013, përveç periudhës së presidentit Tramp, madje edhe gjatë asaj periudhe, më falni, të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës me Serbinë, janë projekte të firmosura nga Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Beograd.

Ndarja e Kosovës, Ballkani i Hapur, droga në Shqipëri, reforma në drejtësi.

Të dashur miq, ju duhet të dini sot se Xhorxh Sorosi në trurin e reformës në drejtësi vendosi Luan Omarin, në të vërtetë hartuesin e Kushtetutës më famëzezë të kohës, Kushtetutës që shpalli Shqipërinë shtet ateist në vitin 1974.

A mund ta imagjinoni ju këtë?

Cilat janë pasojat e reformës në drejtësi sot, e cila u realizua me angazhimin total të diplomatëve sorosianë në Tiranë?

Cilat janë pasojat? Ua them unë ju. Sot çdo shqiptar, për një proces civil, dhe janë të dhëna zyrtare këto, duhet të presë 14.6 vite për një vendim në gjykatë. Për një çështje penale duhet të presë 10 vite.

Pra, kombi juaj, shqiptarët janë të vetmit në botë sot që nuk kanë një proces të drejtë ligjor.

Falë kësaj reforme, për të cilën taksapaguesit amerikanë kanë shpenzuar dhjetëra milionë.

Aspekti i dytë i kësaj reforme është prokuroria politike që përdoret në mënyrë absolute identike njëlloj si në kohërat më të zeza të diktaturës.

Sot në Shqipëri, liderët e tre partive kryesore opozitare janë në ndjekje penale.

Dy ditë më parë, një bashkëmoshatar i Belind Këlliçit, deputet, u burgos.

Pse u burgos? Ervin Salianji u burgos vetëm se Fatmir Xhafaj dhe vëllazëria Xhafaj është një nga vëllazëritë më të fuqishme të drogës dhe krimit në Shqipëri. Një vëlla i Fatmir Xhafës, i quajtur Geron Xhafa, ishte dënuar në Itali me vite të tëra, por bridhte mirë e bukur dhe nga Vlora drejtonte trafikun ndërkombëtar.

Një gazetar guximtar konstatoi se ai transportonte tonelata drogë nga Vlora drejt Italisë, në mbrojtje të plotë të vëllait të vet, ministër i Brendshëm.

Ervin Salianji publikoi regjistrimin. Trafikanti u transferua në Itali, në burg, i vëllai dhe dorëheqjen, por para se të jepte dorëheqjen, me dëshmitar të rremë të vërtetuar në mënyrë absolute, thanë se zëri nuk ishte i vëllait të ministrit dhe trafikanti e paditi deputetin tonë dhe pas 6 vitesh, Edi Rama me urdhër e nis 2 ditë më parë në burg, njeriun që i bëri shërbimin më të madh shqiptarëve, duke denoncuar një nga vëllazëritë më të fuqishme të drogës.

Ua dhashë këtë shembull se shembull të pafund mund të ju jap, për të kuptuar se sa jetik është roli i secilit prej jush dhe mbarë diasporës në përpjekjen e shqiptarëve kundër kësa diktature, në vendin ku ju jeni.

Unë u zgjata, pak më shumë në këtë ekspoze dhe ju them se, situata është e vështirë, por u them gjithashtu se ne absolutisht ne nuk dorëzohemi por do të bëjmë gjithçka për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje.

Me këtë rast u ftoj dhe njëherë, një mobilizim maksimal për të votuar në vitin 2025 për
Shqipërinë, por para se të votojmë për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike, ftoj ju, ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të votojnë për Nik Gjonajn, kryetarin e ardhshëm të Oakland Countri.

Si një përfaqësues dinjitoz që bën krenar çdo shqiptar.

Miqtë e mi, ne jemi parti simotër e Partisë Republikane. Sigurisht unë nuk ndërhy në zgjedhjet presidenciale në SHBA, por çfarë është anëtar i PD-së, dhe mbështetës i saj, e ftoj që me votën e tij të mbështesë partinë simotër republikane dhe kandidatin e saj.

Shumë faleminderit për vëmendjen që më kushtuat!


Shtuar 30.09.2024 13:45