Jay Emmanuel-Thomas konsiderohej një nga xhevahiret më të çmuar të akademisë së Arsenalit dhe vetë Arsene Wenger parashikonte për të një të ardhme madhështore në futboll. Megjithatë, rruga e tij mori një kthesë të errët: adoleshenti që dikur ishte pranë ekipit të parë të “Topçinjve” u gjend pas hekurave për rolin e tij në një operacion të trafikut të kanabisit me vlerë gati 600 mijë paund.
Kur ishte vetëm 16 vjeç, Emmanuel-Thomas mbante shiritin e kapitenit te skuadra nën-18 e Arsenalit. Ai ishte pjesë e një brezi të artë të të rinjve të klubit londinez, ku spikatnin figura si Jack Wilshere, Francis Coquelin, Henri Lansbury dhe Emmanuel Frimpong.
Të lidhura
None found
Atëherë, gjithçka tregonte se ai ishte i destinuar për skenën më të lartë të futbollit anglez. Por 14 vite më vonë, autoritetet policore i paraqitën një mandat arresti.
Kjo është kronika e jashtëzakonshme e një lojtari që pati thuajse të gjitha armët për t’u bërë yll, por që në fund shkatërroi gjithçka me duart e veta.
Lindur në Londër, Emmanuel-Thomas iu bashkua Arsenalit në moshë tetëvjeçare dhe që në fillim u cilësua si një margaritar i rrallë i të rinjve. Fiziku i tij dallohej dukshëm nga bashkëmoshatarët, ndërsa përzierja e forcës, shtatit dhe finesës teknike e kthente në një profil tejet intrigues për trajnerët.
Fillimisht, stafi teknik e testoi në disa role: qendërmbrojtës, anësor, mesfushor ofensiv dhe sulmues. Ndërhyrja e Arsene Wenger ishte vendimtare. Tekniku francez ishte i bindur se vendosja e tij në repartin e prapavijës do t’i shpërdoronte dhuntitë më të spikatura, ndaj e orientoi drejt pozicioneve sulmuese.
Në moshën 16-vjeçare, ai ishte tashmë lideri i ekipit nën-18. Në sezonin 2008/09, ai drejtoi një grup të jashtëzakonshëm drejt fitores në FA Youth Cup, pasi Arsenali mposhti Liverpoolin në finale me dy ndeshje. Emmanuel-Thomas gjeti rrugën e rrjetës në atë finale dhe e ardhmja dukej e ndritur.
Ai ishte vetëm 19 vjeç kur Wenger e hodhi si titullar përballë Stoke Cityt në FA Cup, në janar të vitit 2010. Në atë takim, ai ndau fushën me emra si Theo Walcott, Cesc Fabregas, Sol Campbell dhe Mikael Silvestre. Më pas erdhën aktivizime të tjera, përfshirë një ndeshje në “Stamford Bridge” kundër Chelseat dhe një fitore 4-0 ndaj Newcastle United në League Cup.
Pas paraqitjes kundër Newcastle, entuziazmi i Wenger ishte i dukshëm. “Jay po troket fort në derën time – me të dyja duart,” deklaroi trajneri legjendar. Ai e shihte atë si një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar veçmas fizikun, aftësitë teknike dhe instinktin për gol. Sipas tij, me përgatitjen e duhur fizike, Emmanuel-Thomas mund të shndërrohej në “një futbollist të madh”.
Pavarësisht besimit të trajnerit, ai nuk siguroi dot kurrë një vend fiks në formacionin e parë. Vetë lojtari e kuptonte realitetin: “Vjen një moment kur shikon lojtarët që janë në ekipin e parë, ata që luajnë në pozitën tënde dhe e kupton se sa mirë duhet të jesh,” pranoi ai më vonë. Arsenali i ofroi zgjatje kontrate, por ai vendosi që largimi ishte alternativa më e shëndetshme. Pasi u huazua te Blackpool dhe Cardiff City, Emmanuel-Thomas i dha lamtumirën Arsenalit përfundimisht në vitin 2011.
Synimi ishte që një ambient i ri t’i ofronte hapësirën dhe qetësinë për të shpërthyer. Por në vend të ngritjes, karriera e tij filloi të venitej gradualisht. Te Ipswich Town në Championship, pas një sezoni të mirë fillestar, ai e humbi vendin e titullarit. Trajneri Mick McCarthy e përmblodhi kështu situatën: “Thjesht nuk besoj se Jay e ka shfrytëzuar gjithë potencialin e tij me ne.”
Megjithatë, te Bristol City Emmanuel-Thomas jetoi momentet më pjellore të karrierës. Në sezonin 2013/14 ai realizoi 15 gola në kampionat, duke rikonfirmuar atë potencial që Wenger kishte diktuar vite më parë. Ai grumbulloi mbi 100 ndeshje me këtë klub, në atë që do të mbetej kulmi i rrugëtimit të tij profesional. Trajneri Steve Cotterill e vlerësonte jo vetëm për veprimet spektakolare, por edhe për angazhimin në fazën pa top.
Prapëseprapë, qëndrueshmëria mbeti një problem. Queens Park Rangers e solli sërish në Championship, por qëndrimi atje ishte i shkurtër. Huazimet te MK Dons dhe Gillingham nuk sollën ringritjen e shpresuar. Në vitin 2019, në kërkim të një fillimi të ri, Emmanuel-Thomas u transferua në Tajlandë, te PTT Rayong. Klubi sapo ishte ngjitur në elitë dhe ai përshkruante me emocion jetën buzë plazhit. Por kjo aventurë zgjati vetëm tre muaj, pasi klubi falimentoi për shkak të vështirësive financiare.
Pasuan rreth 18 muaj pa kontratë. Livingston i ofroi një mundësi dhe ai e shfrytëzoi për të treguar se talenti teknik ishte ende i pranishëm. Shënoi një gol në barazimin 2-2 me Celtic dhe një tjetër të jashtëzakonshëm ndaj Hamilton. Trajneri David Martindale ishte i sinqertë në vlerësimin e tij: “Ka këmbë kaq të mira, kontrolli dhe aftësia e tij janë të frikshme. Teknikisht, ai mund të jetë futbollisti më i mirë në Livingston.” Por sërish, talenti nuk u shoqërua me vazhdimësi.
Aberdeen i dha një kontratë dyvjeçare, por pas vetëm 14 paraqitjesh në kampionat, trajneri Jim Goodwin e kritikoi ashpër për gjendjen fizike. Më pas erdhi një tjetër eksperiencë jetëshkurtër, këtë herë në Indi. Në verën e vitit 2024, ai zbriti në kategorinë e dytë të futbollit skocez, duke firmosur me Greenock Morton. Dikur i parashikuar si yll i Ligës Premier, ai tani fitonte rreth 600 funte në javë para një audience prej rreth 1,800 tifozësh. Në pesë ndeshje, nuk shfaqi pothuajse asgjë nga cilësitë e dikurshme. Qëndrimi atje zgjati vetëm dy muaj. Dhe pastaj ndodhi ngjarja që do t’ia ndryshonte jetën në mënyrë të pakthyeshme.
Në shtator 2024, e dashura e Emmanuel-Thomas dhe një shoqe e saj u kthyen nga një udhëtim në Tajlandë. Udhëtimi ishte organizuar dhe financuar nga vetë futbollisti, i cili u kishte premtuar atyre edhe 2,500 funte si shpërblim. Kur mbërritën në aeroportin Stansted të Londrës, valixhet e tyre u kontrolluan nga autoritetet. Brenda tyre u zbuluan qese të paketuara me vakum që përmbanin 60 kilogramë kanabis, me një vlerë tregu të përllogaritur rreth 600 mijë funte.
Gratë pohuan se besonin se po transportonin ar. Hetimet e komunikimeve mbështetën versionin e tyre dhe akuzat u hoqën. Por Emmanuel-Thomas u arrestua pak më pas në Greenock. Sipas provave të paraqitura në gjykatë, ai kishte shërbyer si lidhje mes furnitorëve në Tajlandë dhe rrjetit të shpërndarjes në Mbretërinë e Bashkuar, duke pritur një fitim prej rreth 5,000 funtesh për këtë rol.
Një mesazh që i dërgoi të dashurës pas ndalimit të saj e rëndoi më tej pozitën e tij: “Fshi gjithçka nga biseda jonë nëse mundesh”. Greenock Morton i ndërpreu kontratën menjëherë. Fillimisht ai mohoi akuzat, por në maj 2025 u deklarua fajtor. Mbrojtja argumentoi se periudhat e gjata pa klub e kishin vënë në vështirësi të mëdha financiare dhe se ai kishte “rënë në tundim” duke hyrë në botën kriminale. Avokati Alex Rose pranoi se ishte një gabim katastrofik dhe se “karriera e tij në futboll ka përfunduar dhe kjo është diçka që ai ia ka sjellë tërësisht vetes.”
Në qershor 2025, gjykata e dënoi Jay Emmanuel-Thomas me katër vite burg. Gjyqtari Alexander Mills i dha një mesazh të prerë: “Përmes veprimeve tuaja, ju nuk do të njiheni më si futbollist profesionist; do të njiheni si kriminel.” Dukej si fundi përfundimtar i një rruge që dikur premtonte majat e futbollit anglez. Por historia pati një kthesë tjetër.
Vetëm një muaj pas dënimit, Emmanuel-Thomas u lirua, duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim. Ai kishte kufizime, përfshirë orar ndalimi dhe mbikëqyrje elektronike, por brenda një jave gjeti një klub të ri. AFC Totton i ofroi një kontratë në National League South. Më pas kaloi te Braintree Town, ku debutimi i tij ishte ironik: shënoi një gol spektakolar nga goditja e dënimit për të vulosur fitoren 2-0. Trajneri Steve Pitt e përshkroi golin si “gjenial” dhe theksoi se do të ishte e vështirë të shihje një ekzekutim më të mirë në atë nivel.
Më vonë, Emmanuel-Thomas mori pjesë në Baller League, në ekipin e drejtuar nga ish-lojtarët e Anglisë, Micah Richards dhe Daniel Sturridge. Atje përfundoi si golashënuesi i dytë më i mirë i sezonit. Në vitin 2026, ai vazhdonte të kërkonte hapësira në kategoritë e ulëta të futbollit anglez. Por pavarësisht rikthimit në fushë, historia e tij mbetet një dëshmi tronditëse se sa e brishtë mund të jetë një karrierë dhe se si vendimet e gabuara mund të shkatërrojnë një ëndërr që dikur dukej kaq afër realizimit.
