nga Albeu.com
Këtë mëngjes, karrigia e tij në zyrën e PR dhe Marketingut pranë Western Balkans University mbeti e zbrazët. Xhesjon Zogu, vetëm 26 vjeç, ishte nisur nga shtëpia drejt Tiranës ashtu siç bënte çdo ditë, pa e ditur se kjo do të ishte rruga e tij e fundit. Në pak sekonda, një ditë e zakonshme pune u kthye në një tragjedi të pakthyeshme. Një parakalim fatal, një manovër e gabuar e një mjeti tjetër, ia preu ëndrrat në mes, duke e lënë atë udhëtim përgjithmonë të pambaruar.
Të lidhura
None found
Të thuash që Xhesjoni vdiq në një aksident, është t’i tregosh gjërat përgjysmë. Sot nuk u shua thjesht një 26-vjeçar; sot u shemb një shtëpi e tërë. I rritur jetim dhe me një vëlla në burg, Xhesjoni nuk ishte thjesht drita e syve për familjen – ai ishte oksigjeni i tyre, ishte i vetmi krah ku ata mbështeteshin.
Në thellësi të Malësisë së Krujës, një nënë e sëmurë, e cila u ka mbijetuar dy infarkteve dhe priste operacionin e radhës, mori sot goditjen që asnjë zemër nëne nuk e mban dot. Ajo nënë, që Xhesjoni e donte aq shumë sa e sfidonte lodhjen duke bërë rrugën vajtje-ardhje dy herë në ditë vetëm që të mos e linte vetëm. Aty, pas derës, e pret edhe një gjysh i moshuar që sot humbi arsyen e vetme për të jetuar.
Pas punës, atë nuk e priste jeta e shkujdesur e një të riu, as kafenetë me miqtë. E priste rruga e gjatë e kthimit te nëna. E priste përgjegjësia e një burri të vërtetë që mbante mbi supe një mal me halle, por që askush nuk e dëgjoi të ankohej qoftë edhe një herë.
Por sonte… ajo derë e vjetër shtëpie nuk do të hapet më.
Ai nuk do të ulet pranë shtratit për ta pyetur nënën: “Çfarë të dhemb? A i pive ilaçet?”. Gjyshi nuk do t’i dëgjojë më hapat e tij në oborr.
Është një mallkim i pashpjegueshëm sesi në këtë vend mund të dalësh nga shtëpia për në punë me një “shihemi më vonë” dhe të mos kthehesh dot kurrë për shkak të papërgjegjshmërisë së një të panjohuri.
Një sekondë e vetme padurimi pas timonit dhe një parakalim i rrezikshëm qenë të mjaftueshme për ta ndryshuar përgjithmonë jetën e kësaj familjeje. Për shkaktarin e aksidentit ishte thjesht një nxitim momental, por për nënën e sëmurë, për gjyshin e tij, miqtë dhe kolegët, ato sekonda u kthyen në një dhimbje të pafundme që nuk do të shërohet dhe në një mungesë që nuk matet me kohë.
Xhesjoni nuk mbërriti dot në zyrë këtë mëngjes. Por, mbi të gjitha, ajo që të copëton shpirtin është se ai nuk do t’ia dalë kurrë më të mbërrijë në shtëpi. /albeu.com/
