Dy modelet më të fundit të Hyundai-t kanë ngjallur befasi për faktin se në pajisjet fillestare mungon paneli digjital i instrumenteve përballë shoferit.
Të lidhura
None found
Bëhet fjalë për Ioniq 3 dhe Elantra të reja, të cilat integrojnë sistemin multimedial Pleos Connect të ndërtuar mbi Android Automotive OS, dhe shquhen për ekranet qendrore bujarë deri në 14.6 inç. Megjithatë, çudia qëndron prapa timonit.
Në versionet bazë, konsumatorët nuk përfitojnë si pajisje standarde ekranin 9.9-inç të instrumenteve që shfaq shpejtësinë dhe të dhënat thelbësore të makinës. Për ta siguruar atë, duhet të orientohen drejt një pakete më të kushtueshme ose ta porosisin si ekstra.
Për ilustrim, në Korenë e Jugut paneli dixhital për Elantra kushton rreth 350 mijë wonë, shifër kjo që përkon me afërsisht 255 dollarë amerikanë.
Ndërkaq në tregun britanik, Ioniq 3 e vë në dispozicion këtë ekran vetëm nëse klienti kalon në nivelin e dytë të pajisjeve, raporton Telegrafi.
Çuditërisht, imazhet zyrtare të shpërndara nga Hyundai theksojnë kryesisht versionet e pajisura me panelin digjital, teksa konfiguratorët tregojnë se modelet më ekonomike mund të dalin nga fabrika pa këtë komponent.
Kjo praktikë ilustron një prirje gjithnjë e më të përhapur në industrinë auto, ku prodhuesit shkurtojnë shpenzimet duke i shndërruar pajisjet gjithnjë e më shumë në opsione me tarifë shtesë.
Megjithatë, Hyundai vazhdon të ruajë butona fizikë për një sërë funksionesh, në kontrast me disa rivalë që po migrojnë pothuajse të gjitha komandat drejt ekranit qendror.
Sistemi i ri Pleos Connect parashikohet të pajis rreth 20 milionë automjete deri në fund të kësaj dekade, duke përfshirë jo vetëm modelet Hyundai, por edhe ato të markave simotra Kia dhe Genesis.
Si përfundim, në kohën e ekraneve masivë, Hyundai po i fton blerësit të paguajnë më shumë edhe për një element që dikur ishte pjesë bazike e çdo automjeti: panelin përpara timonit. /Telegrafi/
