Protesta e 91-të e rezistencës qytetare në Tiranë ka përfunduar pas orësh të tëra me tubim, fjalime dhe marshim nëpër rrugët e kryeqytetit.
Pjesëmarrësit u grumbulluan së pari para godinës së Kryeministrisë, ku shprehën kritika të ashpra ndaj ekzekutivit dhe përsëritën kërkesën qendrore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
Gjatë aktivitetit, nuk munguan tabelat dhe mesazhet me nota sarkastike drejtuar qeverisë. Një ndër to ishte “Koha nuk na lodh, na forcon”, teksa disa protestues theksuan vendosmërinë e tyre për të qëndruar në shesh edhe për një periudhë të zgjatur.
Një i ri i pranishëm deklaroi se “Rama po numëron ditët e fundit”, duke e konsideruar vijimësinë e protestës si provë të qëndresës qytetare.
Në mesazhet e mbrëmjes u përfshinë edhe pensionistët. Një qytetar i moshuar iu drejtua kreut të qeverisë me thirrjen për të lënë detyrën dhe kërkoi mbështetje më të madhe për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Një tjetër mesazh solli thirrjen e diasporës për bashkim të shtresave dhe kategorive të ndryshme shoqërore e profesionale, me synim shtimin e pjesëmarrjes në tubimet e ardhshme.
Pas përmbylljes së fjalimeve, turma zhvilloi marshimin tradicional nëpër rrugët e Tiranës, duke vazhduar sloganet kundër qeverisë.
Me mbylljen e takimit të sotëm, opozita qytetare shënon 91 ditë protestë, ndërkohë që organizatorët kanë paralajmëruar rikthimin në shesh dhe vijimin e aksionit të tyre edhe nesër.
