Informacioni operacional i përditësuar më 29.08.2026, në orën 14:00, bën të ditur se në të gjithë vendin janë regjistruar 12 vatra zjarri. Prej tyre, 4 janë ende aktive, ndërsa 3 të tjera po mbahen nën monitorim.
Për menaxhimin e situatës janë vënë në dispozicion 214 forca operacionale, 6 automjete zjarrfikëse, 75 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.
Të lidhura
None found
Vështirësitë më të mëdha janë evidentuar në Dajt, në drejtim të Qafë-Priskës dhe përballë Farkës, ku zjarri është riaktivizuar dhe ka vijuar të zgjerohet.
Në këtë zonë po punojnë 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, si dhe 20 efektivë të FA-së. Ndërkohë, në operacion janë përfshirë edhe 2 helikopterë.
Edhe në Vajkal të Bulqizës janë përqendruar forca të shumta për shuarjen e flakëve. Ndërhyrja po mbështetet nga 1 helikopter dhe 30 efektivë të FA-së, së bashku me ekipet e MZSH-së, forcat pyjore dhe vullnetarët.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Qafë të Helmës, ku situata po monitorohet pa shfaqur zhvillime dhe pa paraqitur rrezik për banesat, si dhe në Sllatinë të Dibrës.
Në këtë të fundit janë angazhuar 78 forca nga MZSH-ja, shërbimi pyjor, ADZM-ja, bashkia dhe grupet e vullnetarëve.
Ndërsa vatrat në Komsi, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit, janë izoluar ose ndodhen nën mbikëqyrje dhe nuk kërcënojnë zonat e banuara, zjarri në Delisuf të Vlorës është shuar tërësisht. Flakët atje përfshinë rreth 2 ha sipërfaqe me shkurre.
