Njohësi i çështjeve të sigurisë, Saim Tahiraj, ka komentuar aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, duke ngritur mundësinë që hetimet të çojnë edhe te persona të tjerë të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e dhënë për “Bota sot”, Tahiraj ka theksuar se vazhdimi i hetimeve dhe publikimi i fakteve mund të sjellë përballë drejtësisë edhe individë që mbajnë tituj të lartë akademikë, përfshirë doktorë shkencash.
Ai ka shtruar pyetjen se cilët persona të tjerë mund të rezultojnë të përfshirë në rastin Sheholli si bashkëpunëtorë të Serbisë, duke mos përjashtuar edhe zbulimin e ndonjë figure akademike me ndikim.
Sipas Tahirajt, fondet e mëdha të kundërshtarëve të vendit mund të kenë joshur edhe njerëz me grada të larta shkencore, por kjo nuk do të thotë se ata kanë pasur domosdoshmërisht karakter të fortë njerëzor e kombëtar.

Ai ka nënvizuar se një diplomë apo titull akademik nuk mund të merret si garanci për integritetin dhe karakterin e individit. Dituria, sipas tij, përfitohet përmes universiteteve dhe auditorëve, ndërsa ndërgjegjja, përgjegjësia ndaj kombit dhe karakteri ndërtohen gjatë gjithë jetës, veçanërisht në familje dhe përmes edukimit.
Tahiraj u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që ta vijojnë procesin hetimor pa kompromise, në mënyrë që të ndahen të pafajshmit nga personat përgjegjës dhe të bëhen publike të gjitha faktet.
Ai ka deklaruar se, nëse vërtetohet ekzistenca e spiunëve ose bashkëpunëtorëve të Serbisë, ligji duhet të zbatohet njësoj ndaj të gjithëve, pavarësisht se kush janë apo çfarë titujsh mbajnë. Tahiraj ka përfunduar se e vërteta duhet të zbardhet një herë e përgjithmonë.
