Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim lamtumire me ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, i cili po përfundon mandatin e tij në Kosovë.
Të lidhura
None found
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohjen për shërbimin dhe kontributin e ambasadorit në forcimin e raporteve mes Kosovës dhe Francës.
“Marrëdhëniet e partneritetit mes Kosovës dhe Francës kanë vijuar të forcohen, ndërsa vetëm gjatë këtij viti bashkëpunimi është bërë edhe më konkret. Takimi dhe dreka e punës me Presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Elize në mars, si dhe vizita e ministrit të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, në Kosovë në korrik, u pasuan nga pesë marrëveshje dhe instrumente të reja. Ato synojnë avancimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe frankofoni, krahas partneritetit financiar e institucional për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, këto arritje krijojnë një themel të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët. Kurti nënvizoi gjithashtu se Franca mbetet aleate dhe partnere e rëndësishme e Kosovës, ndërsa përkrahja e saj për rrugëtimin evropian dhe integrimin euroatlantik të vendit ka rëndësi të veçantë.
Në përfundim, Albin Kurti i uroi Olivier Guérot sukses në angazhimet e ardhshme dhe i shprehu mirëseardhjen e përhershme në Kosovë.
