Megjithë krizat e shumta, ekonomia e Gjermanisë po tregon qëndrueshmëri dhe vijon të japë sinjale pozitive.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u zgjerua me 0.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2026, në raport me tre muajt paraardhës. Shifra rezulton 0.1 pikë përqindjeje më e lartë se vlerësimi fillestar.
Ky është tremujori i tretë radhazi me rritje për ekonominë më të madhe të Evropës, çka ka forcuar shpresat për një rimëkëmbje të shumëpritur. Ruth Brand, presidente e Zyrës Federale të Statistikave, tha se zgjerimi është mbështetur kryesisht nga eksportet.
Gjatë tremujorit të dytë, eksportet gjermane të mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, konsumi privat dhe ai publik shënuan rritje me vetëm 0.1 për qind secili, ndërsa investimet në makineri dhe automjete pësuan rënie.
“Duke marrë parasysh parashikimet pjesërisht shumë të zymta për situatën ekonomike për shkak të luftës mes Iranit dhe Izraelit, rritja e ekonomisë gjermane është çuditërisht e qëndrueshme”, deklaroi Thomas Gitzel, kryeekonomist i VP Bank në Lihtenshtajn.
Sipas Gitzel, perspektiva ekonomike e Gjermanisë mbetet relativisht pozitive. Ai e lidh këtë edhe me nivelin e mirë të porosive në industrinë prodhuese.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se financat publike vazhdojnë të përbëjnë një shqetësim të rëndësishëm. Në gjashtë muajt e parë të vitit, shteti gjerman shpenzoi 71.3 miliardë euro më shumë nga sa arkëtoi.
