Donald Trump ka hedhur idenë se Shtetet e Bashkuara mund t’i ndryshojnë emrin Liqenit Ontario, duke propozuar që ai të quhet “Liqeni i Amerikës”. Deklarata vjen në një moment kur përplasja tregtare mes SHBA-së, Kanadasë dhe provincës Ontario po thellohet.
Të lidhura
None found
“Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë seriozisht ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario në Liqeni i Amerikës, pasi nuk presim të bëjmë më shumë biznes me Ontarion”, shkroi presidenti amerikan në platformën e tij sociale Truth Social.
Trump e mbylli postimin me mesazhin: “Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”.
Kriza tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës mori një kthesë të re më 22 gusht, kur negociatat mes dy vendeve përfunduan pa marrëveshje. Pas kësaj, Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 50 për qind për disa produkte të importuara nga Kanadaja, mes tyre vera, produktet e qumështit, shkopinjtë e hokejit dhe çimentoja.
Kryetari i Ontarios, Doug Ford, e kishte sulmuar Trumpin një ditë më parë, duke e cilësuar atë si “llojin e personit që do t’ju vidhte paratë e drekës”.
Ford paralajmëroi edhe kundërmasa ndaj SHBA-së, përfshirë pezullimin e eksporteve të energjisë elektrike dhe të dërgesave të mineraleve, si nikeli, nga Ontario drejt territorit amerikan.
Kjo është një tjetër rast kur Trump propozon ndryshimin e emrit të një zone të njohur gjeografike.
Gjatë vitit 2025, ai firmosi një proklamatë për ta riemërtuar Gjirin e Meksikës në “Gjiri i Amerikës”, në kohën kur marrëdhëniet me Meksikën ishin tensionuar për shkak të çështjeve kufitare.
