Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë deputetë, asamblistë, drejtorë dhe aktivistë në Prishtinë, si edhe deputetë të Aleancës, u mblodhën sërish sot para ndërtesës së Qeverisë. Ata kërkuan që kryeministri në detyrë dhe ministrat e tij ta lirojnë objektin, duke i cilësuar uzurpatorë.
Të lidhura
None found
Protestuesit i bënë thirrje Kurtit të mos e shkelë Kushtetutën, por të kthehet në Kuvend për të mundësuar vijimin e seancës konstituive.
Asamblistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fjolla Vukshinaj-Reçica, vlerësoi se bllokada e Kuvendit tejkalon debatet politike, pasi sipas saj po ndikon drejtpërdrejt te qytetarët, komunat dhe projektet zhvillimore.
Ajo tha se bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk është debat abstrakt politik dhe as thjesht një derë e mbyllur në ndërtesë. Sipas saj, për çdo ditë që Kuvendi mbetet i bllokuar, një qytetar pret, një familje ka një hall, një komunë ka një projekt dhe një nevojë mbetet pa zë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, deklaroi se Kurti dhe ministrat e tij janë uzurpatorë, ndërsa Kosova po stagnon dhe qytetarët po përballen me pasojat.
Deliu tha se kërkesa e tyre është rikthimi i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Ajo theksoi se Albin Kurti dhe ministrat që ndodhen në objekt duhet ta lirojnë atë, ndërsa më pas duhet të kthehen në Kuvend për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja të vendit. Sipas saj, dëmi nga stagnimi është shumë i madh dhe për pasojat e tij po vuajnë qytetarët e Republikës. Ajo iu drejtua deputetit Kurti me kërkesën që të rikthehet në Kuvend dhe të mundësojë krijimin e institucioneve të reja, duke shtuar se Kosova është projekt shekullor i shumë brezave dhe nuk mund të shkatërrohet nga askush, as nga deputeti Kurti.
Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e cilësoi Kurtin shkelës recidivist të Kushtetutës dhe e akuzoi për bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
Tahiri tha se shkelësi recidivist i Kushtetutës po vazhdon të struket në zyrën e tij dhe se u ka marrë mandatin 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mandat të cilin ua ka dhënë populli. Sipas tij, një person i vetëm nuk po i lejon deputetët të ushtrojnë detyrën e tyre si të zgjedhur të popullit dhe të votuar nga sovrani në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai shtoi se Kurti e ka bllokuar konstituimin e Kosovës me synimin që të gjejë një derë për ta kapur për partinë e tij edhe pozitën e presidentit dhe për ta kthyer logjikën e partisë që ai udhëheq në parti-shtet. Tahiri theksoi se mandati u përket deputetëve që e kanë marrë nga populli dhe se as Albin Kurti, as dikush tjetër, nuk guxon t’ua marrë atë mandat apo të pengojë konstituimin e Kuvendit.
