Me nisjen e vitit të ri shkollor, më 1 shtator, fëmijët parafillorë në Prishtinë do të qëndrojnë më gjatë në mësim. Orari i tyre do të zgjatet nga dy në katër orë mësimore.
Të lidhura
None found
Lajmin e ka bërë publik drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, përmes një postimi në Facebook.
Elshani ka njoftuar se parafillorët do të kenë një orar më të përshtatshëm, duke kaluar nga vetëm dy orë mësimi në katër orë.
Sipas tij, koha shtesë do t’u japë fëmijëve më shumë mundësi për të mësuar, luajtur, marrë pjesë në aktivitete dhe për t’u shoqëruar me bashkëmoshatarët.
Drejtori i Arsimit ka vlerësuar se ndryshimi do të jetë lehtësues edhe për prindërit, të cilët do ta kenë më të menaxhueshëm kombinimin e angazhimeve në punë me kujdesin për fëmijët.
“Në të njëjtën kohë, prindërit do të kenë një orar më të menaxhueshëm, që puna dhe kujdesi për fëmijët të mund të ecin më mirë bashkë”, ka shkruar Elshani.
Ai ka theksuar se Komuna e Prishtinës synon të ndërmarrë politika në funksion të fëmijëve dhe familjeve.
“Rritja e fëmijës, puna dhe mirëqenia e familjes duhet të ecin në të njëjtin drejtim”, ka përfunduar drejtori i Arsimit.
