Një cisternë është goditur me raketë në Detin e Kuq, pranë një rruge strategjike që Arabia Saudite përdor për të eksportuar naftën e saj pa kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit. Shqetësimi kryesor lidhet jo vetëm me zjarrin e shkaktuar në anije, por edhe me vendndodhjen e incidentit, jashtë Yanbu-së.
Të lidhura
None found
Organizata Britanike e Sigurisë Detare, UKMTO, njoftoi se anija u godit nga një predhë e paidentifikuar rreth 63 milje detare në perëndim të portit saudit. Goditja solli shpërthimin e një zjarri në kuvertën kryesore të cisternës.
Të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit ndodhen në gjendje të sigurt dhe, deri tani, nuk është konstatuar ndotje në det. UKMTO u ka kërkuar anijeve që lundrojnë në këtë zonë të tregojnë kujdes. Emri dhe flamuri i cisternës nuk janë bërë publikë, ndërsa asnjë palë nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.
Dyshimet e para janë përqendruar te Huthit, të cilët në të kaluarën kanë goditur anije dhe objektiva saudite. Megjithatë, në këtë fazë, çdo lidhje e tyre me ngjarjen mbetet në nivel spekulativ.
Yanbu konsiderohet një pikë kyçe sigurie për tregun botëror të naftës. Nëpërmjet tubacionit Lindje-Perëndim, nafta bruto e Arabisë Saudite transportohet nga fushat lindore të vendit drejt bregut të Detit të Kuq, duke shmangur kalimin në Ngushticën e Hormuzit.
Por rreziku duket se po shtrihet tashmë edhe në këto itinerare alternative. Trafiku në Hormuz është rreth 90% më i ulët krahasuar me nivelet para luftës dhe hapja e një fronti të ri pranë Yanbu-së mund të ngushtojë edhe më shumë mundësitë për transport. Sulmi ndodh në kohën kur Riadi po bisedon me siguruesit për ngritjen e një skeme shtetërore për mbulimin e rrezikut të luftës, me vlerë deri në 700 milionë rialë sauditë për incident.
Nëse sulmet në rajon vijojnë, pasojat e ardhshme mund të reflektohen te primet e sigurimit, kostot e transportit dhe numri i cisternave të disponueshme.
Situata e sigurisë paraqitet e rënduar: Hormuzi po bllokohet, Deti i Kuq po përballet me sulme dhe rrugët e sigurta për eksportimin e naftës së Gjirit po bëhen gjithnjë e më të pakta.
