Një valë e fuqishme dhe e gjatë të nxehti ka përfshirë Greqinë, duke çuar temperaturat mbi 40 gradë Celsius. Në disa rajone, termometri ka shënuar deri në 41 dhe 42 gradë.
Të lidhura
None found
Rekordi i së shtunës u regjistrua në Trikala, ku temperatura arriti në 40,7 gradë. Vlera mbi 40 gradë u raportuan gjithashtu në pjesë të tjera të Thesalisë dhe Greqisë Qendrore.
Sipas të dhënave, masat ajrore mbi territorin grek janë 6 deri në 8 gradë më të ngrohta se mesatarja e zakonshme për këtë periudhë. Vala e të nxehtit pritet të vazhdojë të paktën deri në mesin e javës së ardhshme, ndërsa e diela shihet si një prej ditëve më të vështira.
Në Thesali dhe në Maqedoninë Qendrore, temperaturat parashikohet të lëvizin nga 39 në 40 gradë. Në Athinë priten rreth 38 gradë, ndërsa në Selanik temperaturat do të jenë 37 deri në 38 gradë.
Prej së hënës, në veri dhe në lindje të vendit pritet një ulje e lehtë e temperaturave, e ndikuar nga forcimi i erërave veriore.
Ndërkohë, Greqia Perëndimore dhe Peloponezi do të vijojnë të përballen me kushte të vështira. E hëna dhe e marta mund të shënojnë temperaturat më të larta, sërish pranë nivelit të 40 gradëve.
Autoritetet këshillojnë të moshuarit, fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mos qëndrojnë në diell gjatë orëve të mesditës dhe të pinë sa më shumë ujë. Për qytetarët në nevojë, bashkitë kanë vënë në dispozicion ambiente me ajër të kondicionuar.
Ulja më e ndjeshme e temperaturave pritet të ndodhë nga e enjtja, kur erërat veriore në Egje mund të arrijnë forcën 7 ballë. Megjithatë, meteorologët nuk përjashtojnë një rritje të përkohshme të temperaturave gjatë fundjavës së ardhshme. Parashikimet tregojnë gjithashtu se edhe shtatori mund të jetë i nxehtë, me temperatura 2-3 gradë mbi vlerat tipike të stinës.
