Quevin Castro, ish-mesfushori i West Bromwich Albion, ka humbur jetën në moshën 25-vjeçare pasi u rrëzua gjatë një ndeshjeje në Portugali.
Ngjarja ndodhi të shtunën në Estadio das Seixas, në Lisbonë, gjatë pjesës së parë të një miqësoreje parasezonale mes Real Sport Clube, skuadër e kategorisë së tretë, dhe Estrela da Amadora, ekip që garon në elitë.
Të lidhura
None found
Asociacioni i Futbollit të Lisbonës (AFL) bëri të ditur se Castro “ndërroi jetë këtë mëngjes gjatë ndeshjes miqësore parasezonale”.
Real Sport Clube shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të mesfushorit, të cilin e cilësoi si një “anëtar të dashur të familjes së tyre sportive”.
“Quevin Castro ishte shumë më tepër se vetëm një lojtar; ai ishte një pjesë integrale e familjes sonë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që e njohën”, thuhej në reagimin e klubit.
Futbollisti iu bashkua West Bromit në vitin 2021 dhe debutoi me këtë skuadër në përballjen kundër Arsenalit në Carabao Cup. Më vonë gjatë të njëjtit sezon, ai luajti edhe ndeshjen e dytë për klubin, përballë Swansea Cityt, përpara se të huazohej te Burton Albion.
West Brom reagoi me pikëllim pas lajmit, duke deklaruar se ishte “i shkatërruar” nga vdekja e ish-lojtarit të tij.
Skuadra angleze do ta kujtojë Castron me një minutë duartrokitjesh në minutën e 25-të të takimit të Championshipit kundër Burnleyt të dielën. Në këtë ndeshje, lojtarët do të mbajnë gjithashtu shirita të zinj në krahë.
Castro, i formuar në akademinë e Sportingut të Lisbonës, kishte veshur fanellat e disa klubeve në Angli, mes tyre Cambridge City, York City dhe Notts County, përpara se të kthehej në Portugali verën e kaluar.//
