Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon një vizitë zyrtare.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni ndoqi nga afër organizimin e zgjedhjeve primare në Tampa të Floridës. Në Omaha, ai vizitoi gjithashtu selinë e ES&S-së, kompanisë më të madhe amerikane në teknologjinë zgjedhore, ku u njoh me pajisjet dhe zgjidhjet teknologjike që përdoren për administrimin e zgjedhjeve.
Në Uashington D.C., përfaqësuesit e KQZ-së u pritën në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Amy Carnie, Drejtoreshë e Zyrës për Evropën Qendrore dhe Perëndimore, si dhe nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën.
Një tjetër takim u zhvillua me një zyrtar të lartë të Zyrës për Evropën Lindore dhe Euroazinë në Departamentin Amerikan të Tregtisë. Diskutimet u përqendruan te mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetje në avancimin e administrimit të zgjedhjeve në Kosovë, përmes përdorimit të teknologjisë.
Delegacioni u takua edhe me Bordin Zgjedhor të Distriktit të Kolumbias, me të cilin shkëmbeu pikëpamje mbi praktikat e administrimit të zgjedhjeve dhe mundësitë për bashkëpunim institucional.
Sipas KQZ-së, “Vizita synon shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e mëtejshëm të administrimit të zgjedhjeve në Kosovë përmes përdorimit të teknologjisë”.
