Korrespondenca personale e Natalie Harpit me presidentin amerikan Donald Trump ka hapur një debat të ri në Shtëpinë e Bardhë, pasi letrat përmbajnë një gjuhë jashtëzakonisht të afërt dhe emocionale.
Të lidhura
None found
“Për mua, vetëm ti ke rëndësi” dhe “Nuk duhet të flasim gjithmonë për punën!” janë disa nga shprehjet që Harp përdor në letrat drejtuar Trumpit. Në një tjetër mesazh, ajo i thotë se dëshiron të jetë pranë tij dhe të flasin “për gjithçka dhe për asgjë”.
Një prej letrave përmban edhe një kërkesë që presidenti ta qortojë në rast se ajo bën ndonjë gabim.
“Të lutem, kur të gaboj, a do të ma thuash? Ke të drejtë të më qortosh ashpër, nëse është e nevojshme, kur e meritoj, sepse askush nuk më njeh ose nuk më intereson më shumë se ti”, shkruan Harp.
Korrespondenca është hartuar gjatë ose menjëherë pas vizitës së Trumpit në pronat e tij në Aberdeen dhe Turnberry të Skocisë, si dhe në Doonbeg të Irlandës, në maj të vitit 2023.
“Daily Beast” i publikoi letrat të plota. Disa pjesë të tyre ishin bërë të njohura më herët nga komentatori Michael Wolff, i cili i kishte përfshirë në një libër për rizgjedhjen e Trumpit.
Natalie Harp konsiderohet një nga bashkëpunëtoret më të afërta të presidentit dhe ka siguruar një pozicion me peshë në rrethin e tij. Ajo merret me printimin e materialeve që lexon Trumpi, ndërsa kontribuon edhe në hartimin e disa postimeve të tij në “Truth Social”.
Dalja në publik e këtyre letrave e ka rikthyer vëmendjen te ndikimi i saj pranë presidentit. Michael Wolff ka deklaruar se dokumentet iu dorëzuan nga persona brenda fushatës së Trumpit, të shqetësuar për afërsinë mes Harpit dhe presidentit.
“Nuk është një marrëdhënie që duhet të ekzistojë në një kontekst profesional”, tha Wolff në podkastin e tij.
Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle, e ka mbrojtur Harpin, duke e përshkruar si një nga ndihmëset më besnike dhe më të përkushtuara të Trumpit. Ai i ka cilësuar raportimet kritike ndaj presidentit dhe administratës së tij si pjesë të “lajmeve të rreme”.
Polemika mori përmasa të tjera pasi senatori demokrat Jon Ossoff bëri një koment të pahijshëm lidhur me atë që e quajti “udhëtimi me Natalie”. Shtëpia e Bardhë reagoi ashpër ndaj tij, duke e cilësuar senatorin demokrat si “të rrezikshëm”.
Edhe më herët, roli i Harpit në Shtëpinë e Bardhë kishte shkaktuar polemika. Për një periudhë të gjatë, ajo pati vështirësi në marrjen e miratimit nga shërbimet sekrete për të kaluarën e saj, një proces i domosdoshëm për personat që kanë qasje në materiale që lidhen me sigurinë kombëtare.
Megjithatë, shqetësimi më i madh brenda administratës lidhet me ndikimin që Harp mund të ketë te presidenti. Sipas raportimeve, ajo mund të përcaktojë se cilat materiale i dorëzohen Trumpit dhe cilat nuk i paraqiten, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm në filtrimin e informacionit që mbërrin tek ai.
Deri tani, letrat nuk kanë ofruar prova për një lidhje romantike mes Trumpit dhe Harpit. Për këtë arsye, krahasimet me skandalin e Bill Clintonit dhe Monica Lewinskyt janë konsideruar të pabazuara, në mungesë të dëshmive të tjera.
Në kulmin e debatit, Melania Trump u shfaq publikisht pranë bashkëshortit të saj. Gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, ku u prezantua një nismë bamirësie me donacion prej 2 milionë dollarësh, ajo u pa duke i mbajtur dorën Trumpit.
“Dëgjova se ju mungova. Ja ku jam. Ja ku jam! Mirë se vini në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh Melania Trump gjatë aktivitetit.
