Një investim prej rreth 100 milionë eurosh pritet të realizohet nga Vatikani për ndërtimin e një centrali të energjisë së rinovueshme, me synimin që Selia e Shenjtë të sigurojë energjinë elektrike të nevojshme brenda dy viteve.
Të lidhura
None found
Reuters, duke iu referuar burimeve të informuara për projektin, raportoi se impianti agro-fotovoltaik do të ketë kapacitet nga 80 deri në 90 megavat. Kjo do ta rendiste atë ndër centralet më të mëdha të këtij lloji në Itali.
Vepra do të ngrihet në pronën Santa Maria di Galeria, në pjesën veriperëndimore të periferisë së Romës. Zona, me një shtrirje prej rreth 450 hektarësh, është në pronësi të Vatikanit dhe prej viteve 1950 pret strukturat e transmetimit të Radio Vatikanit.
Hapi i parë për nisjen e procedurave u hodh në fillim të këtij muaji, kur u mblodh një komision i përbashkët Itali-Vatikan. Procesi u bë i mundur pas ratifikimit nga Italia të marrëveshjes dypalëshe të vitit 2025, e cila lejon zhvillimin e kësaj hapësire.
Burime të përfshira në bisedime vlerësojnë se ndërtimi mund të kërkojë nga 18 deri në 24 muaj. Në këtë afat përfshihen edhe proceset e licencimit dhe procedurat administrative, ndërsa kontratat për projektin pritet të shpallen në javët e ardhshme.
Panelet diellore do të vendosen disa metra mbi sipërfaqen e tokës, në mënyrë që ajo të vazhdojë të shfrytëzohet për bujqësi. Hija e krijuar prej tyre pritet të kufizojë avullimin e ujit dhe të ndihmojë në mbrojtjen e bimëve ndaj kushteve ekstreme atmosferike.

Sistemi i paneleve, së bashku me pajisjet e monitorimit, do të shtrihet në rreth 200 hektarë, pra në pothuajse gjysmën e territorit të Santa Maria di Galeria.
Energjia e prodhuar do t’u sigurohet fillimisht objekteve të transmetimit të Radio Vatikanit dhe do të ndihmojë në përmbushjen e nevojave energjetike të Vatikanit. Ajo mund të përdoret edhe nga institucione të lidhura me Selinë e Shenjtë, mes tyre spitali Bambino Gesù në Romë.
Nëse prodhimi e tejkalon konsumin, energjia e mbetur do t’i kalojë rrjetit elektrik italian.
Vatikani nuk do të përfitojë nga skemat e stimulimit financiar që Italia u ofron familjeve dhe bizneseve për instalimin e sistemeve diellore.
Ky projekt ishte renditur ndër përparësitë e Papa Françeskut dhe është miratuar gjithashtu nga Papa Leo XIV. Marrëveshja Itali-Vatikan i njeh centralit agro-fotovoltaik një status të veçantë, të ngjashëm me atë të objekteve të Radio Vatikanit, duke parashikuar edhe përjashtime nga disa taksa dhe tarifa publike italiane.
Dokumenti përcakton se realizimi i projektit nuk duhet të sjellë barrë të re ose shtesë për financat publike të Italisë.
