Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në këtë pjesë të vendit është e qetë dhe stabile. Megjithatë, sipas tij, situata vazhdon të jetë delikate për shkak të veprimeve ose vendimeve të mundshme politike.
Të lidhura
None found
Elshani bëri të ditur se Policia e Kosovës është e shtrirë në të gjithë veriun dhe se aktualisht nuk përballet me ndonjë problem të veçantë në aspektin e sigurisë. Ai shtoi se, nëse do të ndodhte ndonjë incident, institucioni që përfaqëson ka kapacitetet e nevojshme për t’u marrë me të.
“Në veri situata është e qetë, stabile, por edhe më tej delikate. Ndjeshmëria lidhet kryesisht me veprime apo vendime të mundshme politike, pasi në aspektin e sigurisë Policia e Kosovës është e pranishme në të gjithë rajonin dhe nuk ka ndonjë çështje të veçantë për t’u theksuar”, ka deklaruar Elshani.
Sipas zëvendësdrejtorit, forca policore aktualisht ka numër të mjaftueshëm pjesëtarësh për ta menaxhuar situatën në veri.
Ai veçoi gjithashtu shtimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në radhët e Policisë së Kosovës. Elshani tha se pas një mungese të madhe të personelit policor nga kjo përkatësi etnike, numri i tyre tashmë ka arritur në 151.
“Me personel policor qëndrojmë shumë mirë. Për një kohë kemi pasur mungesë të konsiderueshme të policëve kosovarë të përkatësisë etnike serbe, ndërsa tani kemi 151 pjesëtarë serbë. Në total, rreth 450 policë janë të mjaftueshëm për rajonin e veriut, ku niveli i kriminalitetit nuk është i lartë dhe ku çështjet lidhen më shumë me politikën sesa me krimin. Ne e menaxhojmë situatën dhe jemi të gatshëm të reagojmë në çdo rast”, u shpreh ai.
Duke komentuar vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hapur rrugë hapjes së urës së Ibrit, Elshani tha se urat kanë për qëllim t’i afrojnë njerëzit dhe jo t’i ndajnë ata.
Ai theksoi se, përpara urës kryesore, në veri ekzistojnë edhe disa ura të tjera, ndërsa kalimi i njerëzve, mallrave dhe automjeteve në to nuk paraqet asnjë problem. Sipas tij, në këtë zonë nuk ka rrezik të veçantë, pasi Policia është e pranishme në çdo pjesë dhe ndërhyn ndaj të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë shqiptarë, serbë apo të përkatësive të tjera etnike.
“Urat i bashkojnë njerëzit, nuk i ndajnë. Nuk dua të jap një qëndrim të veçantë për urën kryesore, por në veri nuk ka asnjë rrezik, sepse Policia është e pranishme kudo. Ne reagojmë ndaj qytetarëve kosovarë të çdo përkatësie etnike, ruajmë rendin dhe qetësinë publike. Në këtë rast ka më shumë retorikë politike sesa çështje reale të sigurisë”, ka deklaruar Elshani për Ekonomia Online.
Ai foli edhe për kërcënimet e adresuara ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se ata janë përballur me situata të tilla gjatë katër viteve të fundit dhe tashmë janë mësuar me to.
“Prej katër vitesh jemi në atë zonë dhe jemi përballur me kërcënime të vazhdueshme, si ‘ju vrasim sot’ apo ‘ju vrasim nesër’. Deri tani nuk na kanë vrarë. Policia vazhdon ta kryejë detyrën e saj dhe qytetarët nuk kanë arsye të shqetësohen, sepse nëse paraqitet nevoja për reagim, ne do të jemi aty”, ka thënë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.
