Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, bëri të ditur se është kërkuar lëshimi i një njoftimi të kuq për arrestimin ndërkombëtar të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe shtetasit izraelit Afek Moskovitch.
Të lidhura
None found
Masa lidhet me procedurat për gjenocidin në Gaza, si edhe me sulmin ndaj aktivistëve të Global Sumud Flotiljes në ujërat ndërkombëtare.
Sipas Gürlek, kërkesa iu drejtua Ministrisë së Brendshme pas urdhër-arresteve të nxjerra më 14 korrik 2026 ndaj Netanyahut dhe Moskovitch për akuzën e “gjenocidit”.
“Në kuadër të procedurave ligjore që kanë të bëjnë me sulmin ndaj aktivistëve të Flotiljes në ujërat ndërkombëtare, dhe bazuar në urdhër-arrestet e lëshuara më 14 korrik 2026 kundër Benjamin Netanyahut dhe Afek Moskovitch për ‘gjenocid’, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të nxjerrë një ‘njoftim të kuq’ për arrestimin e tyre ndërkombëtar”, deklaroi Gürlek.
Ngjarja me Flotiljen ndodhi disa muaj më parë. Në maj, rreth 430 anëtarë ekuipazhi nga 50 anije, të ndaluara nga ushtria izraelite në Mesdhe, në perëndim të Qipros, u transferuan me forcë në Izrael. Ata u mbajtën fillimisht në burgun Ktziot dhe më pas u deportuan.
Reagime të forta ndërkombëtare shkaktoi edhe ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, pasi publikoi një video ku shfaqej mes aktivistëve të ndaluar, të cilët ishin detyruar të gjunjëzoheshin me duart e lidhura.
Gürlek tha se Netanyahu dhe Moskovitch përballen me akuza për krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të rëndë nga liria, dëmtime trupore të qëllimshme, keqtrajtim, dëmtim të pronës, grabitje të rëndë dhe sekuestrim të mjeteve të transportit.
Ministri turk theksoi gjithashtu se Ankaraja nuk pranon që kryeministri izraelit dhe qeveria e tij të trajtohen si të paprekshëm nga përgjegjësia për veprimet në Gaza.
“Ne në asnjë mënyrë nuk e pranojmë idenë se administrata Netanyahu, e cila po zbaton një politikë gjenocidi në Gaza, është e paprekshme dhe nuk mund të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.
Ne nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të mbulohen dhe as që përgjegjësit të mbrohen pas mburojës së pandëshkueshmërisë. Me vendosmëri do të përdorim të gjitha mjetet që na lejon ligji kombëtar dhe ndërkombëtar”, u shpreh Gürlek.
