Uros Milosevic, futbollist serb 31-vjeçar, përfundoi në pranga të mërkurën në Portugali, pasi autoritetet ndaluan furgonin që ai drejtonte në autostradën A6. Brenda automjetit u zbuluan më shumë se një ton e gjysmë kokainë, me vlerë mbi 70 milionë euro, si edhe armë lufte.
Të lidhura
None found
Operacioni i zhvilluar nga policia gjyqësore portugeze në A6 i dha një goditje të rëndë të ashtuquajturit “Karteli i Ballkanit”. Aksioni është bërë ndër temat kryesore të raportuara ditët e fundit nga mediat portugeze.
Rasti tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të identitetit të personit që ndodhej në drejtimin e furgonit të mbushur me drogë: bëhej fjalë për futbollistin serb Uros Milosevic.
Sipas të dhënave të policisë, krahas ngarkesës së madhe me kokainë, në automjet u gjetën edhe dy armë ushtarake. Të dyja ishin të mbushura dhe të gatshme për t’u përdorur.
Milosevic nuk është një emër veçanërisht i njohur për publikun e gjerë të futbollit, por gjatë karrierës së tij ka luajtur për disa klube serbe. Në CV-në e tij përfshihen Čukarički, FK IM Rakovica, FK Teleoptik dhe FK Sinđelić Beograd. Ai nuk ka qenë aktiv gjatë tre viteve të fundit.
Aksioni në Portugali erdhi pas një operacioni tjetër të rëndësishëm kundër të njëjtit kartel, i zhvilluar javën e kaluar në Spanjë. Gjatë atij aksioni u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan 3.7 ton drogë. Hetimi u realizua në bashkëpunim mes policive portugeze dhe spanjolle.
“Karteli ballkanik” shtrihet në vende të ndryshme të Evropës dhe ka bazën në jug të Spanjës. Organizata kriminale përdorte shpesh bregdetin portugez për shkarkimin e ngarkesave të mëdha të kokainës, e cila më pas shpërndahej në të gjithë kontinentin.
Arrestimi i Milosevicit ka përforcuar dyshimet se rrjeti kriminal mbështetet ndjeshëm te persona me origjinë nga ish-Jugosllavia, përfshirë edhe ish-sportistë.
Hetimet e autoriteteve portugeze vijojnë për të sqaruar rolin e saktë të Milosevicit në këtë organizatë kriminale. Në lidhje me rastin priten edhe arrestime të tjera.
